Danimarka fiton në Beograd, Portugalia mposht Armeninë

14/11/2014 00:00

Kombëtarja shqiptare barazoi në Francë mbrëmjes e së premtes në një ndeshje miqësore, ndërsa 4 ekipet e tjera të grupit I, luajtën mes tyre ndeshjet eliminatore për “Euro 2016”.

Në stadiumin e Partizanit të Beogradit të boshatisur, për shkak të dhunës në ndeshjen e 14 tetorit në ndeshjen ndaj kombëtares sonë, Serbia u mund 1-3 nga Danimarka.

Pavarësisht se vendasit arritën të shënonin që në minutën e 4 me anë të Tosic, nuk arritën të mbanin rezultatin, pasi me dy gola të shpejtë, Danimarka arriti të përmbyste rezultatin. Ishte Kjaer dhe Bendtner, në minutën e 60 dhe të 62-të, që përmbysën rezultatin. Në minutën e 85-të, sërish Bendtner arriti të trefishonte rezultatin për danezët.

Portugalia, e udhëhequr nga Ronaldo, mori një fitore të vuajtur 1-0 ndaj Armenisë. Lojtari i Realit të Madridit i dha fitoren portugezëve në minutën e 72-të.

Pas këtyre ndeshjeve Danimarka udhëheq grupin I me 7 pikë, në vendin e dytë është ngjitur Portugalia me 6 pikë, ndërsa Kombëtarja e Shqipërisë zbret në vendin e tretë me 4 pikë. Serbia dhe Armenia, me nga 1 pikë, renditen të fundit.  

Top Channel