PE: Palët, zgjidhje deri në fund të vitit

15/11/2014 00:00

Gjatë vizitës 2-ditore në Bruksel, kryediplomati shqiptar bisedoi me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së që merren me Ballkanin.

Ditmir Bushati takoi në Parlamentin Europian kryetaren e Delegacionit për Shqipërinë, Monica Macovei; atë për Serbinë, Eduard Kukan, njëkohësisht ndjekësraportues për Shqipërinë në PPE; raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckeinstein; dhe kreun e Komitetit të Jashtëm, Elmar Brok, i cili theksoi në një deklaratë për shtyp pas takimit, se “Shqipëria mund t’ia dalë në rrugën e anëtarësimit në BE, vetëm nëse qeveria lehtëson dhe garanton bashkëpunim mes të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm”.

Ditmir Bushati:
Nuk duhet të harrojmë dy gjëra. Klima gjithëpërfshirëse nuk do të thotë barazim me konsensus. Kjo mazhorancë ka marrë votat për të udhëhequr Shqipërinë, për ta çuar në një stad më përpara. Natyrisht që do të respektojë me përpikmëri të gjithë elementët, që kanë lidhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe këtë dëshmi nuk mund t’ia marrë askush për dobësi. Ne ftojmë opozitën, që të bëjë të njëjtën gjë. Të bëjë opozitën konstruktive ndaj qeverisë, të prezantojë alternativën që dëshiron dhe të kalojmë në një klimë më pozitive, më gjithëpërfshirëse.

Knut Fleckeinstein, raportues për Shqipërinë në PE: Mendoj se disa hapa janë bërë dhe tani jam shumë i interesuar të dëgjoj opozitën nëse këto janë të mjaftueshme për rikthimin e tyre në Parlament. Kam lexuar se opozita po thërret për një bashkim të madh në Tiranë dhe kjo është e drejtë e tyre, por nuk e zëvendëson punën parlamentare. Kështu që shpresoj shumë se të dy palët do të gjejnë një zgjidhje deri në fund të këtij viti, për ta nisur me tjetër qëllim vitin e ri.

Eduard Kukan, ndjekësraportues për Shqipërinë në PPE:
Politikanët shqiptarë janë mjaft të rritur për të mos kërkuar ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, kurdo që hasin probleme në shtëpinë e tyre. Kjo do të thotë se do të prisja më shumë përpjekje, që ata t’i zgjidhin vetë gjërat e tyre.

Monica Macovei, kryetare e Delegacionit të PE me Shqipërinë:
Më është kërkuar mbështetja dhe, sigurisht që thashë ‘Po’, qoftë për dialogun politik dhe, me përvojën time dhe mësimet e nxjerra nga Rumania e vendet e tjera europiane mbi reformën e gjyqësorit, edhe në luftën ndaj korrupsionit, të cilat janë dhe më të vështirat.

Ditmir Bushati:
Të gjithë nën një zë më kanë theksuar nevojën, për të vazhduar më tej me bashkëpunimin rajonal, për të thelluar më tej marrëdhënien, apo kapitullin e ri të hapur ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, sikundër kam shprehur vizionin e qeverisë shqiptare dhe rrugën se si ne e shohim këtë marrëdhënie.

Eduard Kukan, kreu i Delegacionit të PE për Serbinë: Të dy theksuam se marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Serbisë janë të rëndësishme, jo vetëm për këta dy partnerë, por për të gjithë rajonin. Çfarë është e vërtetë, ky duhet të jetë shqetësimi kyç për të ardhmen. Sigurisht, ka politikanë të ndryshëm edhe në Serbi ndaj është e vështirë, por do të ishte një dëshmi pjekurie për udhëheqësit e të dyja vendeve, se janë burra shteti dhe jo vetëm kryeministra lokalë.

Knut Fleckeinstein, raportues për Shqipërinë në PE: Mezi pres që zoti Vuçiç të vizitojë Tiranën vitin e ardhshëm dhe ata të vijojnë në këtë mënyrë, mbase me konferenca më të këndshme për shtyp, por me të njëjtën përmbajtje për marrëveshjet rajonale e shkëmbimet mes të rinjve. Kjo është ajo çfarë pritet për punën nga të dy vendet.

I ngacmuar nga deklarata e austriakut Hahn, për të parë ndeshjen Shqipëri-Serbi në Shkodër, gjermani Fleckeinstein ironizoi se komisioneri i ri do ishte mirë të ngiste atje dhe një dron me flamurin europian.

Ndërkohë që, kreu i Komitetit të Jashtëm europarlamentar, Brok, vlerësoi se “Shqipëria është i vetmi vend, që mbështet tërësisht linjën e fortë të BE-së kundër Rusisë”, ndryshe nga qëndrimet që adoptuan vendet e tjera të rajonit.

Ministri i Jashtëm shqiptar pritet të përballet me homologët e tjerë të Ballkanit, më 2 dhjetor, në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel