Nxënësit në Maqedoni vazhdojnë të mësojnë me tekste shkollore me përmbajtje skandaloze. Së fundmi, një skandal është hasur në librin e Historisë, nga i cili mësojnë nxënësit e vitit të parë në shkollat e mesme.

Në përmbajtjen e këtij teksti, fiset ilire paraqiten si fise maqedonase. Shtrembërimi i këtillë i fakteve ka ndodhur edhe përkundër faktit, që dy nga pesë autorët e tekstit janë historianë shqiptarë.

Por ky nuk është skandali i parë me tekstet shkollore në Maqedoni. Në një lidhje me ‘Skype’ në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” foli Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit në Maqedoni.

Zoti Ademi tha se deri në fund të këtij viti pritet të miratohet një ligj i ri, i cili do t’u jepte fund një herë e mirë këtyre skandaleve.

Pandi Gjata: Një tjetër skandal me tekstet shkollore u bë publik, ku fiset ilire paraqiten si fise maqedonase. Problemi më i madh qëndron se në grupet e punës që hartojnë këto tekste ka edhe historianë shqiptarë. Si e shikoni këtë histori, pse përsëriten këto skandale?

Abdilaqim Ademi: Problemi me tekstet shkollore në Republikën e Maqedonisë nuk është i sotëm. Kjo edhe për faktin se autorë të teksteve shkollore jo gjithmonë janë edhe shqiptarë, por edhe për faktin tjetër që ne nëpërmjet ligjit për tekstet shkollore kemi të definuar që për një lëndë mësimore të ketë vetëm një tekst shkollor. Ai në të shumtën e rasteve përpilohet në gjuhën maqedonase dhe pastaj përkthehet në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Ky është edhe thelbi i problemit me tekstet shkollore sepse duke mos pasur autorë shqiptarë për disa lëndë dhe veçanërisht me lëndët që kanë të bëjnë me specifikat e popujve, kjo bën që tekstet të jenë me përmbajtje jo të mjaftueshme për popullin shqiptar.

Pandi Gjata: Në rastin e fundit ka pasur edhe historianë shqiptarë, apo jo? Të paktën dy prej tyre kanë qenë në grupin e punës.

Abdilaqim Ademi: Po, por ata kanë qenë të angazhuar për pjesë tjetër të historisë dhe jo për pjesën që po flitet. Ajo që dua të bëj unë si ministër është që të gjejmë një zgjidhje sistemore, duke e ndryshuar ligjin aktual për tekstet shkollore. Disa lëndë, ato që kanë të bëjnë me specifikat e popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, autorët të jenë nga bashkësi të ndryshme, teksti të miratohet me konsensus nga autorët, por edhe nga komisioni përkatës në Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë të harmonizojmë lëndët mësimore, por të kemi edhe një përgjegjësi më të madhe gjatë përpilimit të teksteve shkollore.

Pandi Gjata: Sa kohë mund të marrë kjo çështje ligjore? Si mund të zgjidhet që të mos kemi më skandale të tilla?

Abdilaqim Ademi: Përpilimi i ligjit është në procedurë e sipër. Shpresoj që deri në fund të vitit të miratohet dhe më pas të fillojnë edhe procedurat për përpilimin e teksteve shkollore. Nuk është vetëm teksti i Historisë me probleme, por ka edhe tekste të tjera, të cilat nuk janë të përkthyera në gjuhën shqipe. Kjo nuk mund të zgjidhet me një vendim, duhet të ketë një zgjidhje të përhershme.

Pandi Gjata: Këto tekste janë tërhequr nga shkollat, apo nxënësit vazhdojnë të mësojnë me to?

Abdilaqim Ademi: Për momentin janë në përdorim. Për t’i tërhequr duhet të formohet një komision i posaçëm nga ana e ministrit dhe pastaj merret edhe vendimi. Kjo është puna më e kollajshme që mund të bëj unë si ministër, të tërheq një tekst shkollor, por dua të gjej një zgjidhje të përhershme.

Pandi Gjata: A e keni hapësirën dhe kompetencat brenda qeverisë për ta zgjidhur këtë problem?

Abdilaqim Ademi: Në Maqedoni arsimi ka shumë probleme dhe dalëngadalë jemi duke bërë një prioritet të zgjidhjeve të këtyre problemeve dhe njëri nga këto probleme sigurisht që është edhe përpilimi i teksteve shkollore.

Pandi Gjata: A japim dot një afat se kur do të zgjidhet ky problem?

Abdilaqim Ademi:
Më me rëndësi për mua është miratimi i ligjit, të cilin duhet ta miratojmë deri në fund të këtij viti në Parlamentin e Maqedonisë. Shpresojmë që pas miratimit të ligjit gjithçka do të rrjedhë sipas dinamikës që ne do të përcaktojmë. Ajo që dua të sqaroj është se në Republikën e Maqedonisë të gjitha tekstet shkollore jepen falas dhe në këtë mënyrë ne jemi të obliguar që tekstet shkollore t’i kemi të harmonizuara në bazë të nevojave.

Për të njëjtën çështje, mbi skandalin për tekstet shkollore në Maqedoni foli edhe nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Agron Zeqiri.

Pandi Gjata: Një pyetje e parë si politikan, por edhe si njeri që vini nga bota akademike. Si e keni parë këtë skandal që nuk ndodh për herë të parë në Maqedoni, por më e rëndë bëhet kur pjesë e grupeve të punës janë edhe përfaqësues shqiptarë.

Agron Zeqiri:
Fatkeqësisht mund të konstatojmë që nuk bëhet fjalë për një gabim teknik, apo një shkrim gazetaresk, por për një libër Historie që e mësojnë nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme. Në këtë libër disa fise ilire na paraqiten si fise maqedonase dhe kjo paraqet një falsifikim shkencor shumë të rëndë që shërben për nevojat e politikës maqedonase. Më e rënda është se mes 5 autorëve të këtij libri dy janë shqiptarë, një prej të cilëve është zoti Safet Neziri, i cili ka qenë zëvendësministër i Arsimit. Mesazhet e teksteve shkollore janë shtrembëruese dhe skandaloze dhe në tekste të tjera si për shembull: Në një libër të Gjeografisë flamuri i Kosovës thuhet se është i Greqisë. Në librin e Edukimit Qytetar, nxënësit besojnë se qytetarët besnikë respektojnë vetëm pushtetarët. Në librin e Kulturës Qytetare, shqiptarët cilësohen si të prapambetur, të pacivilizuar dhe të pakulturuar. Në librin e muzikës, nxënësit mësojnë këngë nga gjuha maqedonase nga kompozitorë maqedonas dhe asnjë shqiptar. Aty është edhe enciklopedia famëkeqe maqedonase. Problemi me tekstet shkollore, me përmbajtje skandaloze me përmbajtje fyese për shqiptarët, u ngrit vite më parë. Megjithatë këto tekste janë ende në përdorim zyrtar dhe në duart e nxënësve shqiptarë dhe përkundër premtimeve të shumta të zyrtarëve shqiptarë në qeverinë e Shkupit se këto libra do të tërhiqen.

Pandi Gjata: A mendoni se këto tekste duhet të ishin tërhequr nga qarkullimi? Pak më parë, zoti Ademi më tha që ‘është çështje ligji’ dhe shpreson të zgjidhet deri në fund të vitit dhe të miratohet një ligj i ri për t’i dhënë një here e mirë fund këtyre skandaleve…

Agron Zeqiri: Dua të flas në fillim për dëmin dhe më pas për përgjegjësin. Dëmi që shkaktohet është shumë i madh, pasi deformime të tilla shkencore i gjejmë që nga sistemi arsimor fillor dhe deri tek ai universitar. Dihet botërisht se të gjitha programet për tekstet shkollore i miraton qeveria e Maqedonisë dhe padyshim që faji qëndron aty, ku bashkëpjesëmarrëse në qeveria është edhe subjekti politik, BDI. Përderisa këto tekste nuk tërhiqen, por nga viti në vit shtohen dhe është e qartë se kjo forcë politike nuk ka as fuqi politike dhe as vullnet politik për të evituar këtë problem. Kjo është shëndërruar në gangrenë për arsimin në Maqedoni.

Pandi Gjata: Cila mendoni se është zgjidhja për këtë problem, përtej debateve të politikës?

Agron Zeqiri: Ne si subjekt politik kemi kërkuar në vazhdimësi që të ndryshohet koncepti i funksionimit të shtetit. Konkretisht, kur jemi te tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë, ku tjetërsohet realiteti shqiptar, jemi për atë që të gjitha tekstet shkollore të tërhiqen urgjentisht. Duke pasur parasysh që historia e kombit tonë, gjuha dhe letërsia shqipe nuk mund të jenë ndryshe nga ajo që mësojnë bashkëkombasit tanë në Shqipëri e Kosovë. E vetmja zgjidhje është që të kemi tekste të unifikuara me Tiranën dhe Prishtinën për lëndët që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe letërsinë dhe pse jo edhe muzikën.

Pandi Gjata: A e pranojnë partitë maqedonase unifikimin e teksteve me Tiranën dhe me Prishtinën?

Agron Zeqiri: Në momentin që flasim nuk ekziston një gatishmëri e tillë sepse subjekti politik shqiptar, si pjesëmarrës në qeverinë e Maqedonisë,përfshirë këtu edhe ministrin aktual të Arsimit, janë të nënshtruar totalisht dhe nuk kanë forcë politike.

Top Channel