INUK vazhdon operacionin në Tiranë

15/11/2014 00:00

Inspektoriati  Urbanistik Kombëtar ka zhvilluar një tjetër aksion pranë sheshit Nënë Tereza për prishjen e objekteve të mbetura pranë Universitetit të Arteve.

Këtë radhë janë prishur 6 objekte përfshire dhe një ish-disko. Sipas kreut të INUK, Dallëndyshe Bici, për prishjen e këtyre objekteve janë respektuar të gjitha procedurat ligjore si përsa i përket njoftimit të pronarëve për prishje deri dhe verifikimit të procedurave që ishin kryer për legalizmin e këtyre objekteve.

Pas konfirmimit nga ALUIZNI ka nisur prishja ku pronarët e tyre kanë pasur mundësi të nxjerrin materialet. E gjithë zona  pranë Parkut Kombëtar të Liqenit do të rehabilitohet.

Paralelisht me këtë aksion inspektorë të INUK janë duke vijuar punën në Unazën e Re në drejtim të Yzberishtit, ku sipas Bicit nuk do të tolerohet asnjë objekt që është ndërtuar pa leje.

Disa ditë më parë në një aksion i tillë u ndërmor në bregdetin e Durrësit për lirimin e territorit nga ndërtesat e jashtëligjshme.

Në plazhin e Shkëmbit të Kavajës u shemb një objekt 4-katësh. I ndërtuar në mënyrë të paligjshme në bregdet, godina përdorej si hotel. Ndonëse të lajmëruar më parë për prishjen e saj, pronarët janë përpjekur të bëjnë rezistencë, po më pas janë dorëzuar.

Sipas INUK, deri më tani në Durrës janë prishur rreth 230 objekte pa leje, kryesisht bare, restorante, njësi tregtare, shtesa dhe mure rrethuese. Aksioni në bregdet do të vijojë duke u zhvendosur dhe në zonën e shëtitores bregdetare, atë të Currilave dhe në dy krahët e rrugës së Dëshmorëve.

Top Channel