Apeli i tërthortë i Obamës për Kinën

15/11/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama bëri thirrje që siguria e Azisë të mos bazohet tek kërcënimi dhe shantazhi i vendeve të mëdha ndaj atyre të vogla.

Obama tha se siguria rajonale duhet të ndërtohet mbi bazën e një aleance të barabartësh, ndërsa shtoi se Uashingtoni nuk ka vendosur dhe nuk do të vendosë asnjëherë në pikëpyetje aleancën me vendet e Azisë dhe Paqësorit, duke paralajmëruar rritje të vëmendjes të SHBA.

“Besojmë se siguria e efektive në Azi nuk duhet të bazohet mbi bazën e sferave të influencës ku vendet e mëdha intimidojnë dhe kërcënojnë vendet e vogla, por mbi aleanca të përbashkëta mes të barabartësh të bazuara mbi ligjin ndërkombëtar”, deklaroi Obama gjatë një takimi me studentët në Brisbane.

Gjatë fjalës së tij Obama nuk përmendi Kinën, por paralajmëroi rreziqet që bart çështja e sovranitetit territorial mbi disa zona të Detit të Kinës së Jugut, ku aksionet e Pekinit kanë rritur shqetësimet tek fqinjët e tij.

Obama ndodhet në Brisbane për të marrë pjesë në punimet e samitit dyditor të G20, ku në qendër të punimeve është ekonomia.

Top Channel