Ndahen çmimet e Panairit të Librit

15/11/2014 00:00

Është Arben Dedja autori më i mirë i vitit, i shpallur nga juria e edicionit të 17 të Panairit të Librit, me përmbledhjen me tregime “Histori Ekskatologjike”.

Ndërsa përkthyesja e vitit është shpallur Alina Karaulli, për romanin “Xhejn Er” nga Charlotte Bronte.

“Eduard Morgan Foster kur e pyesnin se si duhet të jetë shkrimtari thoshte: ‘just connect’. Desha të bëj dhe unë një lidhje të fundit, që në këtë panair, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Jeronim De Radës morën dyfish çmime nxënësit e shkollës ‘Jeronim De Rada’”, u shpreh Arben Dedja.

Çmimi i letërsisë për fëmijë këtë vit u zëvendësua me çmimin e Mirënjohjes, duke qenë se nuk ka patur prurje, çmim që shkoi për gjuhëtarin dhe përkthyesin Petro Zheji, për kontributin e tij ndër vite. Çmimi iu dorëzua të birit Artur Zheji.

Kadare mer çmimin “Jeronim De Rada”

Shkrimtarit Ismail Kadare iu dha çmimi special i panairit “De Rada”, me motivacionin: pasues i denjë i veprës emancipuese dhe europianizuese të nisur nga De Rada rreth dy shekuj më parë.

Ai këtë çmim, të dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Instituti Italian i Kulturës, e konsideroi të përbashkët me vendin fqinj, ku jetoi Jeronim De Rada, por edhe ku gjetën hapësira në fusha të ndryshme arbëreshët.

“Jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim, që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes kombëtare shqiptare, që ndihmoi të lindte Rilindja dhe që u bë autori i asaj drite të madhe që mbuloi Shqipërinë kur ajo ishte në muzgun e saj. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin europian që letërsia shqipe ishte duke e humbur. Kam kënaqësi që përbri meje është ambasadori i Italisë, vendit që e mbajti De Radën në gjirin e tij, ku ai kaloi jetën e tij, vendi që iu dha mundësi arbëreshëve të gjenin hapësirat e tyre në art, muzikë, poezi e gjithçka. Në këtë çmim unë shoh një një simbolikë të përbashkët që nuk e kemi harruar, por që e kemi rigjetur: Shqipërinë e Evropës”, u shpreh Kadare.

Në stendën e mbipopulluar ku u dha çmimi, më pas Ismail Kadare firmosi autografe për lexuesit.

Top Channel