Rama: Vizioni im për Ballkanin e ri

15/11/2014 00:00

Me frymëzimin e një artisti dhe vullnetin e një politikani, Edi Rama në Stokholm të Suedisë foli për vendosmërinë e tij për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.

Në samitin e kreativitetit, shefi i qeverisë shqiptare bëri një përshkrim të rrugëtimit të tij nga piktura në zyren e Kryeministrit, ku as aty jo vetëm që nuk është shkëputur nga penelat, por duket se ka gjetur lidhjen funksionale mes tyre.

“Edhe në politikë përpiqem të pikturoj një kanavacë. Vizualizoj sesi dua që të jetë vendi ynë, të ndihet, sesi dua ta ndryshoj atë me hapin e botës. Pra sot, si udhëheqës i vendit tim, unë kam një vizion në mendjen time të një vendi që është më modern, një vend njerëzit e të cilit janë më të begatë, një vend të shërbimeve publike në shërbim të njerëzve dhe jo të atyre që i drejtojnë ata”, u shpreh Rama.

Por piktura e Edi Ramës është më e gjerë se Shqipëria.

“Dhe unë erdha tek ju këtu sot, pikërisht në javën në të cilën unë u bëra kryeministri i parë shqiptar që vizitonte Serbinë pas më shumë se 60 vjetësh. Një Ballkan paqësor dhe i begatë. Një Shqipëri e fortë, si pjesë e një Bashkimi Europian të fuqishëm. Janë këto penelatat e duhura të jashtëzakonshme, që unë dëshiroj t’i bëj pjesë të pikturës sime të madhe. Ky është një vizion që më frymëzon, më frymëzon që të punoj ditë e natë që ta bëj të ndodhë vërtet. Dhe këto dy pjesë të të njëjtit vizion shkrihen tek njëra-tjetra. Një Ballkan në paqe dhe i begatë është e mira e Bashkimit Europian, sikurse dhe Bashkimi Eurpian, përjashto ndonjë burokrat të rastit super të zellshëm, është e mira e Ballkanit. Mendoni për forcat që i kanë hapur plagë Europës. Racizimi, nacionalizmi, ksenofobia… Së bashku ne mund t’i mundim ato. Së bashku ne mund të krijojmë hapësirën për shumëllojshmëri kulturash, besimesh dhe identitetesh që do të jetojnë përkrah njëri-tjetrit”, deklaroi Rama.

Misionin e artit për të sjellë shpresë, Edi Rama thotë se e ka edhe politika, e kur të dyja lidhen bashkë mund t’i japin më shumë ngjyra jetës së njerëzve, si atëherë kur në krye të Bashkisë së Tiranës, pallatet gri vendosi t’i pikturojë në portokalli të ndezur.

E përmes metaforës për të mos bërë kompromis me grinë, Edi Rama gjeti rastin të deklaronte se vendosmëria e tij është për të ecur përpara, si politikan që penelin e artistit nuk ka për ta lënë mënjanë.

“Dhe nëse ndonjëherë, dikush prej jush do të vijë në Shqipëri, do të vijë të më takojë në zyrën time e do të më shohë ndërkohë që jam duke shkaravitur, do t’i lutem të mos ndihet i fyer, siç më ndodhi njëherë me dikë. Kjo është pjesë e asaj që unë jam. Dora që lëviz lirshëm, duke krijuar një hapësirë ku nuk duket të jetë asnjë, kjo nuk është një mënyrë e keqe për të menduar se si të bëjmë përpara”, tha Rama.

Top Channel