Zëdhënësi: Putin nuk do ta braktisë samitin

15/11/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të largohet para kohe nga samiti i G20-ës që po zhvillohet në Australi.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, i cili ka përgënjeshtruar lajmet në disa agjenci ndërkombëtare, se shefi i Kremlinit do të largohej për shkak të presioneve perëndimore ndaj tij në lidhje me krizën në Ukrainë.

“Samiti i G20-ës përfundon nesër dhe atëherë presidenti Putin do të largohet. Kur punimet të kenë përfunduar, ai do të niset. Agjencitë kanë gabuar”, ka thënë Peskov.

Zëdhënësi ka pohuar diskutimin e temës së sanksioneve, por ka përgënjeshtruar që ndaj shefit të tij të jenë ushtruar presione.

“Tema e sanksioneve po diskutohet gjerësisht, në të gjitha takimet dypalëshe, por askush nuk po bën presion”, ka vijuar Peskov.

Ndërkohë, një burim nga delegacioni rus, i cili ka preferuar të mbetet anonim, ka deklaruar se presidenti rus megjithatë e ka shkurtuar disi qëndrimin e tij në Brisbejn.

“Presidenti Putin do të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e samitit, por nuk do të jetë i pranishëm në një drekë zyrtare dhe do të flasë për shtypin pak përpara parashikimit”, ka deklaruar burimi.

I cituar sërish nga agjencitë perëndimore, anëtari i delegacionit ka shtuar se dreka në fjalë është vetëm një takim miqësor me liderëve të vendeve anëtare të G20-ës.

Top Channel