Italia, në gjunjë nga moti i keq

15/11/2014 00:00

Italia është sërish në gjendje emergjente për shkak të motit të keq. Veriu i vendit fqinj është sërish në gjunjë përpara forcës së natyrës, që ka vënë në alarm rajonet e Lombardisë, Piemontes dhe Ligurias.

Në zonat Niguarda dhe Izola të Milanos lumi Seveso ka dalë nga shtrati, ashtu sikurse ka ndodhur me disa përronj në disa lokalitete të Xhenovës, ku një person konsiderohet i humbur.

Edhe në pjesën e ulët të Piemontes lumenjtë kanë dalë nga shtrati duke vërshuar nëpër rrugë e duke mbuluar zona të tëra, që tashmë ndodhen nën ujë.

Vërshimi i ujërave ka shkaktuar gjithashtu probleme në linjat hekurudhore të trekëndëshit Milano-Torino-Xhenova, ndërkohë që niveli i tyre po rritet edhe në rajonet e Venetos dhe Toskanës, ku autoritetet kanë dhënë alarmin.

Situata më problematike, sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve ANSA, paraqitet në Xhenova, ku sa vijnë e shtohen zonat e përmbytura pas daljes nga shtrati të lumit Polçevera, ndërkohë që disa përronj kanë arritur nivele alarmante.

Një person konsiderohet i humbur pasi makina e tij është përfshirë nga një rrymë uji në lokalitetin e Minjanegos. Lajmin për humbjen e tij e ka dhënë një grua që ndodhej në automjet me të por që ka arritur të shpëtojë.

“Situata është serioze, shumë e vështirë. Apeli ynë në këto momente është që banorët të qëndrojnë në shtëpi. Duhet të kufizojmë makismalisht lëvizjet për arsye sigurie por edhe për t’u mundësuar kushte më të lehta pune atyre që po përballen me këtë situatë kritike”, ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Xhenovës, Marco Doria.

Përmbytjet kanë bërë që në shumë zona trafiku rrugor të bllokohet, duke krijuar probleme edhe për autostradat dhe transportin hekurudhor.

Top Channel