Nis fushata e sigurimit të fermerëve

15/11/2014 00:00

Fermerët të cilët do të vetësigurohen duke derdhur kontribute pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore do t’u falen kamatvonesat.

Drejtoresha e këtij instituti, Vjollca Braho ka zhvilluar një takim me fermerë të komunës Libonik, ku sqaroi se kjo fushatë për faljen e kamatvonesave është një ndihmë për rreth 230 mijë fermerë që janë vetëpunësuar në tokat e tyre.

“Për të paguar 21 vjet e tre muaj, duke filluar nga tetori 1993 deri më 31 dhjetor 2014, do të falen 120 mijë lekë të reja kamatvonesa për zonat fushore dhe 18 mijë lekë të reja për ato malore. Ndërkohë, nga tetori 2013 deri fund të vitit 2001, për të paguar një vit detyrime shoqërore është 15 dollarë, një mundësi shumë e madhe për t’u siguruar dhe për të qenë pjesë e kontributeve shoqërore”, deklaroi Braho.

Për vite të tëra fermerët nuk kanë mundur të derdhin kontribute për të përfituar pensione, ndaj e vlerësojnë këtë nismë si një mundësi për të mos kaluar një pleqëri në vuajtje.

“Ky është një shans i mirë që të paguajmë dhe që në moshën e pleqërisë të mos mbetemi në mëshirë të fatit”, komentoi një fermer. Në rajonin juglindor përllogariten rreth 35 mijë fermerë të cilët merren me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore.

Top Channel