Kievi ndërpret shërbimet publike në lindje

15/11/2014 00:00

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ka urdhëruar përmes një dekreti ndërprerjen e të gjitha shërbimeve publike në rajonet nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

“Qeveria duhet të marrë brenda një jave të gjitha masat për t’i dhënë fund aktiviteteve të sipërmarrjeve, institucioneve dhe organizatave shtetërore”, thuhet në dekret.

Situata në lindje të vendit vazhdon të jetë e vështirë. Pesë civilë, mes të cilëve dy fëmijë, janë vrarë nga një goditje artilierie të qëlluar ndaj qytetit Gorlivka, i kontrolluar nga rebelët.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave nga bombardimet, të verifikuara mbrëmjen e së premtes, 12 civilë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg konfirmoi një ditë më parë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera” se trupat ruse po avancojnë në Ukrainë.

“Janë shumë. Po i shohim me satelit, janë tanke, autoblinda, topa, raketa kundërajrore, etj, që shkojnë nga Rusia në Ukrainë”, deklaroi Stoltenberg.

Numri një i Aleancës nënvizoi se një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe vëzhguesit e OSBE-së në terren, të cilët e kanë cilësuar një “përqendrim ushtarak”.

“Ne jemi të bindur se ky konflikt nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake. I kërkojmë Rusisë që të respektojë kufirin ukrainas dhe të mos mbështesë separatistët, sepse kjo kërcënon armëpushimin”, tha Stoltenberg.

Top Channel