Në skamje për shkak të aksidentit

15/11/2014 00:00

Aksidentet rrugore në të gjithë vendin marrin çdo ditë jetë njerëzish. Rrallë herë përcaktohet saktë nëse fajtorë janë drejtuesit e mjeteve, kalimtarët, infrastruktura rrugore, mungesa e sinjalistikës apo të gjitha bashkë: mungesa e një kulture të përgjithshme të qarkullimit rrugor. Fakt mbetet që një aksident, edhe nëse nuk të merr jetën, ta shkatërron atë.

Një gjë e tillë i ka ndodhur 46-vjeçarit Alush Fejza. Katër vjet më parë, teksa kthehej nga puna, ai u përplas nga një makinë. Aksidenti i shkaktoi dëmtime të rënda në gjymtyrë, prej të cilave ai vuan edhe sot.

“Duke ecur tek anësoret e asfaltit vjen një makinë dhe më përplas. Rash pa ndjenja dhe më morën e më çuan në spitalin e Belshit. Prej andej më çuan në Elbasan dhe më pas në Tiranë. Atje ndenja 1 muaj e gjysmë sepse bëra tre operacione. Bëra operacionin e parë, të dytin sepse pata infeksion tek këmba dhe pas dy vjetësh, kur shkova të hiqja hekurat, këmbën e kam sërish keq”, tregon 46-vjeçari.

Askush nuk mbajti përgjegjësi për aksidentin e Alushit dhe askush nuk u dënua. Pas tre operacioneve ai nuk mundi t’i kthehej gjendjes së tij të mëparshme. Alush Fejza humbi punën dhe sot familja e tij prej 5 anëtarësh nuk ka asnjë mjet jetese.

“Në shtëpi janë 5 vetë, pa ndihmë ekonomike dhe unë edhe ilaçet nuk i marr dot sepse nuk kam të ardhura për mjekimin”, tregon më tej Alushi.

Babai i Alushit shqetësim kryesor ka të ardhmen e nipave, të cilët as nuk kanë mundësi të arsimohen. Familja e Alushit po kalon probleme të mëdha sociale dhe ekonomike për shkak të këtij aksidenti që nuk u shkaktua për faj të tij.

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti në Elbasan ndodhën 143 aksidente me 177 të lënduar, të gjithë kandidatë për të mbetur të gjymtuar. Ndërsa në gjithë vendin numri është shumë më i madh.

Top Channel