Gramsh, 3 në pranga për vrasjen e 37-vjeçarit

15/11/2014 00:00

Rreth 24 orë nga vrasja e 37-vjeçarit Përparim Duzha në Gramsh, policia lokale ka vënë në pranga tre persona, dy prej të cilëve dyshohen si vrasësit e të riut.

Lajmin e konfirmojnë burime policore zyrtare, sipas të cilave në pranga kanë përfunduar shtetasit Selman Fiqiri, të dyshuarit për vrasje, si dhe babai i njërit prej tyre nën akuzën e ndihmës së dhënë dy të rinjve.

Sipas burimeve, personat në fjalë janë banues në fshatin Tërvol, ku jetonte dhe 37-vjeçari Duzha, dhe në banesa u janë gjetur tre armë automatike dhe një sasi e konsiderueshme municionesh luftarake.

Burimet shtojnë më tej se materialet do t’i kalojnë prokurorisë për proçedurat e mëtejshme hetimore.

Përparim Duzha u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, në momentin kur doli nga shtëpia e vëllait. Viktima kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika ku jetonte prej kohësh si emigrant.

Top Channel