“UEFA mund të ndahet nga FIFA”

16/11/2014 00:00

Presidenti i Ligës gjermane të Futbollit ka paralajmëruar se UEFA, organ i përbërë nga 54 kombe, mund të ndërmarrë edhe masën më drastike, apo hapin e fundit, të të dalurit nga FIFA, nëse raporti i hetuesit Michael Garcia ndaj kandidaturave të Botërorëve 2018 dhe 2022 nuk do të publikohet i plotë.

Dr Reinhard Rauball shpall haptazi tensionet brenda FIFA-s mbi dallimet që kanë gjykatësi i Komitetit të Etikës, Hans-Joachim Eckert, dhe prokurorit amerikan Garcia, i cili ka udhëhequr ekipin hetimor dhe ka shpenzuar 18 muaj për shqyrtimin e garës për zhvillimin e dy eventeve madhore të 2018-s, në Rusi, dhe 2022-shit, në Katar.

Garcia ka mohuar përmbledhjen e Eckertit ndaj raportit të tij 430 faqesh, teksa kjo përmbledhje shfajëson Rusinë dhe Katarin.

“Rezultati që kemi vjen si shkak i një problemi komunikimi, ndaj dhe kjo gjë ka tronditur parimet bazë të FIFA-s, në një mënyrë që ne nuk e kemi pritur kurrë më parë”, tha Rauball. “Si zgjidhje, dy gjëra duhet të ndodhin. Jo vetëm që duhet të publikohet vendimi i Komitetit të Etikës, por edhe aktakuza e prokurorit Garcia, në mëyrë që të bëhet e qartë se cilat kanë qenë akuzat dhe si janë gjykuar ato”, tha ai për faqen e internetit “kicker.de”.

“Për më tepër, fushat që nuk janë vlerësuar në raport, edhe nëse kjo do të jetë e justifikueshme, duhet të publikohen. Ai raport duhet bërë publik. Kjo është e vetmja mënyrë që FIFA të përballet me humbjen e plotë të besueshmërisë së saj”.

Ai tha se nëse raporti nuk publikohet në tërësi – madje Eckert ka thënë tashmë se nuk do ta bëjë këtë, ndërkohë që FIFA argumenton se nuk mund të ndërhyjë, – atëherë UEFA duhet të konsiderojë pozicionin e saj brenda FIFA-s.

“Nëse kjo nuk ndodh dhe kriza nuk zgjidhet në një mënyrë të besueshme, shumëkush mund të bëjë pyetjen nëse jemi në duar të sigurta me FIFA-n”, shtoi Rauball. “Një mundësi për t’u mbajtur seriozisht në konsideratë është që UEFA të lërë FIFA-n”.

Top Channel