Euro 2016, kualifikueset “tronditen” nga “të vegjlit”

16/11/2014 00:00

Anglia dhe kampionët në fuqi të Europës, Spanja, kanë siguruar fitore me vlera dhe të thella në shtëpitë e tyre respektive për kualifikueset e Europianit 2016, ndërkohë që disa prej “të vegjëlve” të kontinentit të vjetër kanë surprizuar sërish, duke marrë rezultate befasuese.

Në grupin E, përballja mes Anglisë dhe Sllovenisë në “Wembley” u zhbllokua në pjesën e dytë, teksa të besuarit e Roy Hodgson u gjendën në disavantazh papritmas, por e përmbysën rezultatin në 3-1, duke marrë fitoren e 4 në po kaq ndeshje. Një pretendent thuajse i sigurt për një vend në finalet e kompeticionit, në Francë. Henderson ishte autor i autogolit, që shtangu anglezët dhe gëzoi përkohësisht sllovenët, por Rooney me 11-metërsh dhe dygolëshi i Danny Welbeck kthyen gjithçka në favor të “Tre luanëve”.

Spanja, nga ana tjetër, do të shkojë në miqësoren ndaj kampionëve të botës, Gjermanisë, pas një fitoreje rutinë 3-0 ndaj Bjellorusisë, në grupin C, një rezultat që i siguron “mbretërve” në fuqi të Europës 9 pikë nga 12 të mundshme. Isco i Real Madridit dhe Busquets-Pedro të Barcelonës ishin autorët e golave për “La Roja”-n, në ndeshjen e luajtur në Huelva.

Ndërkohë, pasi Ishujt Faroe siguruan një fitore historike 1-0 ndaj Greqisë, të premten, San Marino dhe Lihtenshtejni siguruan rezultate historike për ta gjithashtu. San Marino, e renditur e 208-a (në dy vendet e fundit së bashku me Bhutanin) i dhanë fund ecurisë prej 61 humbjesh radhazi, duke ndalur Estoninë në barazim 0-0, në ndeshjen e luajtur në San Marino e të vlefshme për grupin E.

Ndërsa Lihtenshtejni arriti të merrte edhe më suhmë, pasi goli në pjesën e dytë nga kapiteni Franz Burgmeier i dha të tijve fitoren 1-0 ndaj Moldavisë në grupin G. Kombëtarja e një principate të vogël me një popullsi më pak se 40 mijë banorë nuk kishte fituar një ndeshje zyrtare që prej qershorit 2011, ndërsa nuk kishte fituar në transfertë në një ndeshje kualifikuese prej më shumë se 1 dekade.

Ndryshe nga këto dy suksese, kombi më i madh i Europës, Rusia, u mposht 1-0 nga Austria në të njëjtin grup (G) duke shtuar presionin ndaj trajnerit Fabio Capello. Goli i vetëm i ndeshjes së luajtur në Vjenë u shënua nga Rubin Okotie, sulmues i lindur në Pakistan, vetëm pak momente pasi një tjetër përpjekje e tij bëri që topi të kalonte vijën fatale, por anësori “nuk e pa”, ndërsa gjyqtari nuk e akordoi. Kjo humbje e Rusisë vjen pas barazimit me Moldavinë.

Austria është 4 pikë larg Suedisë, që në ndeshjen e saj me Malin e Zi nuk mundi të shkonte më shumë se barazimi 1-1. Kapiteni Zlatan Ibrahimovic shënoi për të tijtë, pas rikthimit nga dëmtimi 2-mujor, e më pas tronditi edhe shtyllën nga një gjuajtje dënimi, përpara se Stevan Jovetic të barazonte shifrat nga 11-metërshi kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë.

Ukraina siguroi fitoren e tretë radhazi në grupin C, falë trigolëshit të Andriy Yarmolenko ndaj Luksemburgut. Ukraina dhe Spanja janë 3 pikë pas Sllovakisë, që vazhdoi me performancat e saj të mira edhe ndaj Maqedonisë, të cilën e mposhti 2-0 në Shkup, falë golave të Kuçka dhe Nemec.

Në fund, në grupin E, Zvicra mposhti 4-0 Lituaninë në një ndeshje ku rezultati nuk paraqet vështirësitë e hasura prej zviceranëve edhe për shkak të reshjeve të shiut, pasi të katër golat u shënuan në pjesën e dytë. Pas golit të parë, lituanezët thuajse u shpërfytyruan dhe ndër golashënuesit ishte edhe Xherdan Shaqiri me “dopietë”.

Top Channel