Serbia, trajneri Advocaat jep dorëheqjen

16/11/2014 00:00

Holandezi Dick Advocaat, i cili ka udhëtuar shumë dhe ka ndërruar shumë ekipe por edhe kombëtare, ka dhënë dorëheqjen si trajner i Serbisë të shtunën, vetëm një ditë pasi kombëtarja e drejtuar prej tij u mposht 1-3 në shtëpi nga Danimarka.

Lajmi bëhet i ditur nga Federata serbe e Futbollit. “Ndihem i keqardhur që puna jonë e përbashkët përfundon në këtë mënyrë”, citohet të ketë thënë Advocaat në një deklaratë të Federatës serbe.

67-vjeçari Advocaat u emërua në krye të pankinës së kombëtares ballkanase vetëm në muajin korrik dhe aventura e tij nuk ka shkuar përtej nëntorit.

Sezonin e kaluar, ai drejtoi ekipin holandez të AZ Alkmaarit, ndërkohë që në karrierën e tij të gjatë si trajner ka drejtuar edhe Holandën, Belgjikën, Republikën e Koresë dhe Rusinë. Suksesi i tij më i madh është arritur në nivel klubesh, teksa ka fituar “tripletën” në Skoci me ekipin e Glasgow Rangers, ndërkohë që më pas, teksa ka drejtuar Zenitin e Shën Pjetërburgut ka triumfuar në kampionatin rus dhe në Kupën UEFA të vitit 2008.

Serbia ndodhet aktualisht në vendin e fundit të grupit I, në fushatën e kualifikueseve për në Europianin e “Francë 2016”, teksa kanë grumbulluar vetëm 1 pikë, pas barazimit me Armeninë në transfertë.

Asaj i është akorduar gjithashtu nga Komiteti i Disiplinës së UEFA-s edhe fitorja në tavolinë 3-0 ndaj Shqipërisë, në ndeshjen e braktisur të muajit tetor, por Serbia ka marrë edhe një penalitet me heqjen e tre pikëve për shkak të trazirave. Një çështje që vijon të jetë subjekt i Apelit të UEFA-s, e që me të gjitha gjasat do të shkojë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.

Top Channel