ISIS ekzekuton pengun e radhës, Kassig

16/11/2014 00:00

Një video e publikuar në internet duket se jep pamje të militantëve ekstremistë të Shtetit Islamik, të cilët kanë ekzekutuar edhe pengun më të fundit amerikan, punonjësin e ndihmave Abdul-Rahman Kassig. Në të shfaqet një militant i maskuar, i cili qëndron mbi kokën e prerë, që pretendohet të jetë e Kassig.

Punonjësi i ndihmave, i njohur si Peter Kassig përpara se të konvertohej në fenë Islame, ishte marrë peng në Siri vitin e kaluar. Në tetor, një video e Shtetit Islamik tregonte pamjet e ekzekutimit të një punonjësi ndihme britanik, Alan Henning, e cila përfundonte me një kërcënim të ri, ashtu si dhe në videot e mëparshme, për të ekzekutuar Kassig.

Ende nuk është bërë e mundur konfirmimi se pamjet e publikuara janë vërtet të Kassig, por në të janë shfaqur gjithashtu edhe një grup ushtarësh sirianë të vrarë.

Prindërit e Kassig, të cilët jetojnë në shtetin e Indianas, në SHBA, publikuan muajin e kaluar përmbledhje të një letre të shkruar nga djali i tyre, në të cilën ai tregonte shqetësimet e robërisë. “Kjo është gjëja më e rëndë që një njeri mund të kalojë. Stresi dhe frika janë të pabesueshme”, shkruante ish-punonjësi amerikan.

“Ata na thonë neve se ju na keni braktisur apo nuk interesoheni për ne, por sigurisht që ne e dimë se ju jeni duke bërë maksimumin e mundshëm, madje më tepër se sa kaq. Mos u shqetëso baba, nëse unë vdes. Nuk do të largohem duke menduar ndonjë gjë kundër jush, por atë që unë besoj se është e vërtetë. Në fakt, që ju, prindërit e mi, më doni më shumë se kushdo tjetër”.

Top Channel