G20, shpresë për rritjen ekonomike

16/11/2014 00:00

Kryeministri australian Tony Abbot e mbylli samitin e G20-s me sqarimin e hollësishëm të angazhimeve ekonomike të marra prej liderëve botërorë. Sipas tij, paketa në fjalë, nëse implementohet, do të nisë rritjen globale përgjatë 5 viteve të ardhshme me 2,1%, ndryshe nga ç’janë parashikimet.

“Për shkak të përpjekjeve të bëra nga G20-a, njerëzit në mbarë botën do të jenë më mirë. Rezultati i këtij takimi do të jetë një rritje ekonomike ‘gjithëpërfshirëse’. Liderët botërorë hartuan një plan e kanë ndërmend ta zbatojnë. Ai që do të njihet si ‘planveprimi i Brisbejnit’, përmban më shumë se 800 masa të reja në të gjithë vendet anëtare. Strategjitë e rritjes do të publikohen, në mënyrë që bota ta shohë se për çfarë jemi angazhuar”, tha Tony Abbott, kryeministër i Australisë.

Australia mikpritëse e takimit u përpoq ta mbante vëmendjen të përqendruar te çështjet ekonomike. Ishte e pashmangshme, megjithatë, të mos viheshin re fërkimet me Rusinë. Në fakt, kriza e Ukrainës e errësoi shumë temën e ekonomisë, në një samit ku u diskutua fort edhe për ndryshimet e klimës.

Medias nuk i shpëtoi pa raportuar fakti që Vladimir Putin u largua përpara se samiti të mbyllej zyrtarisht.

G20-a, grupi i 19 vendeve plus Bashkimin Europian, përfaqëson dy të tretat e popullsisë së botës, 85% të GDP-së globale dhe mbi 75% të tregtisë. Fillesat e tij janë në 1999-n, si takim vjetor i ministrave të Financave dhe guvernatorëve të Bankave Qendrore pas krizës financiare aziatike, për t’u zhvilluar më pas deri në pikën sa të përfshinte në 2008-n një samit të liderëve botërorë, i cili tashmë është kthyer në traditë.

Top Channel