Narrativa e Beogradit dhe Panair-Pazari

16/11/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Paul Ricoeur, filozofi i shquar francez dhe teoricieni i rrëfimit, në veprën e tij madhore “Temps et récit”, v.1 (“Koha dhe rrëfimi”) merret gjatë me rrëfimin historik dhe trajton teori nga më të ndryshmet mbi të cilat mbështetet rrëfimi historik.

Vëzhgimi i parë që bën ai në këtë vepër është identifikimi i kohës sipas Shën Agustinit, filozofit të madh të teologjisë i cili në veprën e tij “Les confessions” (“Rrëfimet”), në vëllimin XI, duke folur për kohën dhe duke iu drejtuar Hyut, thotë se unë në jetën e përditshme, kur jetoj çdo ditë, e di se çfarë është koha, por kur më pyesin, o Hyu im, nuk di të përgjigjem. Ai dallonte kohën universale, kozmike dhe kohën reale dhe është i pari që përcaktoi se e tashmja nuk ekziston, por ekziston e tashmja e së shkuarës, e tashmja e së ardhmes dhe e tashmja e së tashmes. Në përfundim të këtij arsyetimi, Ricoeur thekson se ajo që ekziston realisht është e shkuara dhe pesha e veprimeve tona, e ideve tona varet nga e shkuara, sepse koha reale është një rrjedhë sekondash që nuk ka ndalim. Për të treguar historinë ne duhet të përdorim nocionin e mbylljes, pra ta kufizojmë atë segment që duam të tregojmë dhe të rrëfejmë sipas modeleve dhe teorive të ndryshme. Vështruar në këtë pikë, historia bëhet një tekst.

E bëra gjithë këtë hyrje të gjatë, sepse ngjarja që prodhoi Edi Rama në Beograd u bë një tekst i lakmuar dhe mbi atë tekst u vërsulën të gjithë ashtu si në një sport kombëtar dhe gjithsekush e rrëfeu ashtu si mundi, por, në pjesën më të madhe, ky tekst u rrëfye me ndihmën e metodologjisë nomologjike, pra sipas një ligjësie që mbështetet në sociologjinë nacionalromantike, nga njëra anë, dhe në nihilizmin realisto-komunist nga ana tjetër. Është shumë interesante të vihet re se gjithë këtë ngjarje e shkaktoi një thënie deklarative ose një thënie konstatuese. Edi Rama në esencë tha se Kosova është një realitet tjetër, se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe Serbia duhet ta njohë këtë realitet. Ky tekst i Edi Ramës nuk ka asnjë shenjë ofensive. Është një konstatim. Pikërisht këtu qëndron edhe fuqia e efektit që ka ligjërimi postkomunist. Në ligjërimin postkomunist zotëron informacioni dhe thëniet konstatuese vendosen në të tashmen e së tashmes siç thoshte Shën Agustini. Ligjërimi postkomunist nuk përdor konstrukte që ndërtohen me të tashmen e së shkuarës. Ligjërimi postkomunist ndryshon nga ligjërimi totalitar dhe etnocentrist. Ky i fundit që u manifestua në thënien e Vuçiç ndërtohet mbi konstruktet e së shkuarës dhe ka si karakteristikë ndalimin e kohës reale. Ndërsa ligjërimi postkomunist që u manifestua në thënien e Edi Ramës e lë kohën të rrjedhë dhe projektohet mbi të tashmen e së ardhmes, siç thoshte Shën Agostini.

Panair-Pazari

Java që nisi me narrativën e Beogradit po mbyllet me një ngjarje që të kujton më shumë panairet që hapeshin dikur tek Ekspozita “Shqipëria Sot”. E kam fjalën për Panairin e Librit 2014 që vetëm shfaqje dhe manifestim kulture nuk mund ta quash. Një rrëmujë totale, një pazar-rrëmujë me njerëz që hyjnë e dalin kuturu, një ambient që ngjet më shumë me “Tregun çam” të dikurshëm. Vetvetiu të vjen të pyesësh: vërtet shqiptarët po dashurohen me librin? Statistikat tregojnë të kundërtën. Libraritë para Panairit ishin në një gjendje kritike për shkak se shitja e librit ka rënë në mënyrë tragjike. Si ka mundësi që po ata libra që kanë ndenjur me muaj të tërë nëpër librari, befas, sapo vendosen në Panair bëhen tërheqës për lexuesin? Sipas meje, sindroma e panairit mund të shpjegohet në disa mënyra. E para është çështje identifikimi. Për çdo familje normale vizita në panair është një mundësi për të qenë në kontakt fizik me librin. Në disa raste është një dëshirë e sinqertë e shumë familjeve që duan t’i ballafaqojnë fëmijët me shenjën më të lartë të qytetërimit – që është libri.

Vizita në Panair dhe blerja e një libri ashtu siç mund të ndodhë në çdo treg, është një dëshirë për ta identifikuar veten dhe familjen me pjesën elitare të shoqërisë. Mirëpo gjithë kjo dëshirë pozitive përplaset me anarkinë organizative dhe amullinë e vlerave. Përshtypja e parë që të krijohet është se pjesa dërrmuese e atyre që kanë punë me librin kanë kaluar në ilegalitet. Ti sheh në edicione lajmesh që jepen çmime për autorë që as nuk i njeh kush dhe as nuk i ka lexuar kush. Të duket se tani libri nuk është më një shenjë e kulturës së lartë, por është kthyer në një Panair–Pazar. Hierarkinë e vlerave nuk e përcakton më elita e një vendi, por tregtarët e panairit, të cilët bëjnë kujdes që malli të jetë sa më pak i njohur dhe mundësisht të jetë futur pa doganë. Këtë trishtim e pashë edhe në sytë e mjeshtrit tonë të madh, Kadare, kur po merrte çmimin “De Rada” dhe kur një gazetare i bëri pyetje nga ato që mund të bëhen vetëm në Panair-Pazar. Por ky trishtim ishte më i thellë në qoftë se ti kërkoje të blije veprat e plota të De Radës.

Mashtrim italian me De Radën

Logoja e këtij Panairi ishte “De Rada”, sepse ky vit shënonte 200-vjetorin e tij dhe edhe çmimi më i lartë ishte pikërisht ai që mbante emrin e poetit tonë të madh. Po ashtu, Instituti i Kulturës Italiane, Ministria jonë e Kulturës dhe nuk e di kush tjetër kishin ndihmuar për të realizuar botimin e plotë të veprave të De Radës, të cilin ne, shqiptarët e Shqipërisë sipas profesor Mandalasë nuk e kuptuakemi dot. Me idenë që ta kuptoja më mirë De Radën u nisa që ta blej veprën e plotë të tij, por aty u ndesha me një proçkë tipike italiane. Ngjitem në cepin ku ishte vitrina e botimeve të Institutit të Kulturës Italiane dhe i them zonjushës që shiste librat se dua të blej kompletin e veprave të plota të De Radës. Ah, më thotë, duhet të lini emrin dhe mbiemrin këtu dhe një numër telefoni dhe ne ju lajmërojmë që të vini ta merrni në filan vend. Si? Më kapi e qeshura, më kapi inati m’u kujtuan listat e komunizmit, por e kisha dhe e kam të vështirë ta kuptojë këtë italianizëm. Për të botuar këtë vepër kanë kontribuar disa institucione dhe shteti ynë gjithashtu. Po pse ky libër nuk gjendet në panairin që mban emrin e De Radës. Ky është paradoksi dhe mrekullia e Panair-Pazarit. Zbres shkallët dhe me një mijë e një mundime arrij të dal nga Pallati i Kongreseve. Më vijnë ndërmend shumë gjëra, por një gjë nuk më shqitet nga mendja. Po u bënë bashkë shqiptarë dhe italianë, atëherë mashtrimi është i mrekullueshëm. Vetëm këtë nuk e kisha menduar kurrë, se do të merrja me listë librin e De Radës, këtë jo nuk e kisha menduar. Mirëpo, siç e thashë, po u bënë bashkë italianë e shqiptarë mrekullitë nuk kanë fund. E mbani mend spitalin e Nënë Terezës? Është një nga mrekullitë e mashtrimit italo-shqiptar.

Top Channel