Opozita fton qytetarët në protestë

16/11/2014 00:00

Një javë përpara protestës antiqeveritare të 22 nëntorit në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka gjetur në Shkodër frymën e revoltës, që opozita po përpiqet ta nxjerrë në dukje gjatë takimeve në qytete të ndryshme të vendit.

Sipas shkodranëve me të cilët bisedoi kryetari i Partisë Demokratike, gjendja është përkeqësuar me shpejtësi dhe se ata nuk po shohin asnjë shpresë.

“Ai po na çmend! Po në bën me zemër, me tension duke prishur gjithë shtëpitë e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Taksat është duke i rritur të gjitha. Çfarë është duke bërë?! Kërkon taksa, kërkon drita, kërkon ujë, po ai a ka detyrime ndaj nesh?!”, shprehen qytetarët e Shkodrës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha preferoi t’ua lërë mesazhin e protestës shkodranëve, të cilët ngritën edhe një problem tjetër, që deri tani nuk ishte hasur në takime të ngjashme me qytetarët.

“Çdo njeri, e vetmja shpresë që ka është të ikë jashtë. Të jesh i bindur se 30 përqind po bëhen gati ëpr të marrë azil në Gjermani, Francë e kudo”, deklaruan qytetarët para Bashës.

Top Channel