PD: Kompania e Veliajt, para nga qeveria. Reagon ministri 

16/11/2014 00:00

Opozita akuzon Ministrin e Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj se përmes një kompanie të regjistruar në emër të vëllait të tij, ka marrë nga buxheti i shtetit dhjetra miliona lekë.

Veç tenderit për dekorimin e qytetit të Tiranës me rastin e  vizitës së Papës, sipas Partisë Demokratike janë edhe shumë tendera të tjerë, përmes të cilëve kjo firmë ka marrë para nga buxheti i shtetit.

“Kemi dokumentin e Thesarit që tregon paratë që i kanë shkuar kompanisë EAG Veliaj & Co. Çdo zyrë shteti jep sot Erjon Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës para nga taksat e shqiptarëve. Agjencia Kombëtare e Turizmit, Agjencia e Mjedisit, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ALUIZNI, Ministria e Drejtësisë dhe rezulton se ka marrë nga zyrat e shtetit sot të paktën 520 milion lekë. Ky pasurim i paturpshëm në kurriz të qytetarëve ndodh në kohën kur Edi Rama po planifikon rritjen e taksave. E keqja duhet ndalur dhe sa më shpejt!”, deklaroi në një konferencë për mediat, Grida Duma, Koordinatore për Marrëdhëniet me Publikun.

Pas akuzave të Partisë Demokratike, me anë të një deklarate ka reaguar ministri Erion Veliaj, i cili i bën një apel organeve ligj-zbatuese për të hetuar të gjithë atë që ai e cilëson, baltën e shpifjeve nga Grida Duma.

“Prej javësh jam vendosur në shënjestër të akuzave sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me organizime, si ai i vizitës së Papës e të tjera, ku as unë e as Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk jemi angazhuar, as në organizime e as në prokurime të këtyre shërbimeve. Baltosja e atij aktiviteti dhe ngatërrimi me dashje i organizatorëve është mashtrim, i ngjashëm me të tjera mashtrime për të cilat zonja Duma tashmë është dënuar nga gjykatat e tona e për të cilat po vepron përmbarimi. E ftoj policinë, prokurorinë, KLSH, ILDKP dhe gjykatat e vendit të ushtrojnë gjithë autoritetin e kompetencat si dhe ofroj disponibilitetin tim maksimal ne çdo kohë, për t’u përballur me çdo pretendim të saj dhe të PD-së”, reagon Veliaj.

Më tej, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shprehet se nëse një familjar i tij ka shkelur ligjin, e fton Grida Dumën  t’i çojë në prokurori një orë e më parë e secili të marrë dënimin sipas ligjit. Por, sipas tij, të shpifësh për njerëz që nuk merren me politikë, por kanë taksiratin e vetëm që janë familja ime, kjo është më shumë se e ulët.

“Nuk do të thotë se do lejoj Gridën të shkatërrojë edhe familjen time në këtë pasion të saj të pafrenueshëm, ku mendon se ka gjetur prenë e radhës. Përkundrazi, do angazhohem sa të mundem që asnjë familje tjetër të mos e këtë më në qafë këtë mallkim nga politika që për karrierë dhunon çdo gjë të shenjtë. Ndaj e pres atë dhe këdo nga ‘SHQUP’-i në prokurori për çdo shkelje që pretendojnë, në debat për çdo zgjidhje konkrete që ofrojnë, e në parlament për çdo alternative që sjellin. Kjo është politika!”,  mbyllet reagimi i ministrit Veliaj.
 

 

Top Channel