Konfirmohet miqësorja, Itali-Shqipëri luhet në Xhenova

16/11/2014 00:00

Konfirmohet ndeshja miqësore Itali-Shqipëri, në program ditën e martë më 18 nëntor në Xhenova. Lajmi mbërrin pas takimit mes përfaqësuesve të Federatës Italianë të Futbollit me kryebashkiakun dhe prefektin e Xhenovës.

Ndeshja ishte vënë në pikëpyetje pas motit të keq që ka përfshirë vendin gjatë këtyre ditëve të fundit.
Reshjet e mëdha kanë shkaktuar dy viktima e dëme prej mbi një miliard eurosh vetëm në Xhenova, qyteti që me vështirësi po mëkëmbej nga përmbytjet e fillimit të tetorit.

Pikërisht për solidaritet ndaj banorëve të qytetit u vendos që miqësorja Itali-Shqipëri të luhej në stadiumin “Luigi Ferraris”.

Është planifikuar që të gjitha të ardhurat nga ndeshja të jepen për ndihma dhe çdo person që do të hyjë në stadium, përfshirë edhe vetë kombëtaren italiane dhe organizatorët, do të paguajnë biletë.

Ndërkohë agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se ekipi kombëtar shqiptar ende nuk ka arritur të shkojë në Xhenova, ku aeroporti mbetet i mbyllur.

Top Channel