Obama konfirmon vdekjen e Kassing

16/11/2014 00:00

“Ligësi e pastër”. Për ekzekutimin e punonjësit social amerikan Abdul-Rahman Kassig, Presidenti Barack Obama nuk kishte fjalë tjetër.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e lavdëroi Kassigun si njeridashës, e shtoi se 26-vjeçari u mor nga kjo jetë prej një grupi terrorist, të cilin bota me të drejtë e lidh me çnjerëzoren.

“Sot vajtojmë së bashku, megjithatë ne duhet ta kujtojmë frymën e pathyeshme të mirësisë dhe këmbënguljes, që ndriçonin kaq fort tek Abdul-Rahman Kassig”, tha Obama.

Pak orë pasi qeveria amerikane konfirmoi vdekjen e 26-vjeçarit me prerje koke, senatori i Nju Jorkut, Charles Schumer, i bëri thirrje Kongresit të miratojë kërkesën e Obamës për fonde me qëllim shtimin e shpenzimeve ushtarake në betejën kundër Shtetit Islamik.

“ISIS-i është një e keqe në veprim. Ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundur për ndalimin e tij. Shpresoj që përgjatë dy javëve të ardhshme, Kongresi ta aprovojë atë fond pa vonesa të mëtejshme. Kjo vrasje tregon se duhet të veprojmë dhe ato parà janë të nevojshme për vazhdimin e fushatës ajrore dhe për trajnimin e trupave irakiane, në mënyrë që ta luftojnë ISIS-in sa më mirë”, tha Charles Schumer, senator i Nju Jorkut.

Shteti Islamik publikoi një ditë më parë një video, ku shihej një burrë i maskuar dhe një kokë e prerë, që më vonë u konfirmua nga Shtëpia e Bardhë se ishte e Kassig.

Prindërit thanë se i biri, i rrëmbyer teksa punonte për një grup refugjatësh, vdiq për shkak të dashurisë që kishte ndaj popullit sirian. Sipas tyre, gjatë kohës së robërisë, Kassig u konvertua në fenë islamike duke ndryshuar emrin nga Peter në Abdul-Rahman, por kjo nuk mjaftoi për t’i kursyer jetën.

26-vjeçari është pengu i pestë perëndimor i ekzekutuar nga militantët e dhunshëm të ISIS-it, i cili kontrollon pjesë të Irakut dhe Sirisë. Mediat e huaja theksojnë, ndër të tjera, faktin që edhe ekstremisti i shfaqur në videon e fundit flet me theks britanik.

Top Channel