Itali-Kroaci, tifozët kroatë ndërpresin ndeshjen 10 minuta

17/11/2014 00:00

Tension në San Siro gjatë ndeshjes Itali-Kroaci. Për shkak të flakadanëve të hedhur në fushë nga ultrasit kroatë, arbitri holandez Bjorn Kuipers ndërpreu ndeshjen në minutën e 31 të pjesës së dytë, kur rezultati ishte 1-1.

Për të rivendosur qetësinë në stadium ndërhynë forcat e rendit dhe pas 10 minutash takimi rifilloi.

Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, tifozët kroatë u bënë protagonistë edhe pas përfundimit të ndeshjes. Policia arrestoi 17 prej tyre jashtë impiantit milanez pasi vazhduan të shkaktonin trazira.

“Ata tifozë nuk përfaqësojnë Kroacinë”, thanë pas ndeshjes Modric dhe Kovacic.

Përgjegjësi i sigurisë në stafin kroat, Zoran Cvrk, thotë se 300 ultrasit “Bad blu boys Zagreb” të cilët shkaktuan trazirat nuk ishin pjesë e 10 mijë tifozëve që kishin blerë biletat nëpërmjet Federatës Kroate të Futbollit, por i kanë blerë duke përdorur emra italianë.

Sipas mediave kroate, hedhja e flakadanëve në fushë ishte një protestë e ultrasve ndaj presidentit të Federatës dhe atij të Dinamos së Zagrebit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel