Opozita nuk gjen konsensus

17/11/2014 00:00

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, është i vendosur të realizojë kërkesën e partisë së tij që ai të jetë kandidat i koalicionit paszgjedhor për kryeministër të Kosovës.

Për këtë qëllim, Mustafa ka takuar të dielën pasdite kryesinë e LDK-së. Në një intervistë për Top Channel pas mbledhjes së kryesisë, Mustafa ka thënë se pret që partnerët e koalicionit ta kuptojnë rolin udhëheqës të LDK-së.

“Ne do të vazhdojmë, do t’i shohim të gjitha mundësitë që Blloku të vazhdojë punën sepse e kemi shumicën. Natyrisht, lypset që brenda Bllokut ne t’i diskutojmë çështjet të cilat i kemi të hapura”, tha zoti Mustafa.

Top Channel: A është final qëndrimi i kryesisë së LDK-së që ju të jeni kandidat për kryeministër? 

Isa Mustafa: Qëndrimi i LDK-së është që ne të diskutojmë dhe të gjejmë mirëkuptim brenda Bllokut që LDK-ja të ketë kryeministrin, mirëpo është çështje e marrëveshjes së brendshme, por qëndrimi është ky. Ne këtë qëndrim e kemi biseduar dhe do të vazhdojmë ta bisedojmë edhe më tutje dhe natyrisht e gjithë ajo që bisedohet në tryezë është çështje e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në mes nesh. 

Top Channel: Nga AAK-ja ju kanë sulmuar personalisht duke thënë se modeli i qeverisjes tuaj në Prishtinë tregon se nuk do të ofronit qeverisje të mirë në vend.

Isa Mustafa: Atë nuk e kanë thënë brenda në tavolinë. Kur ta thonë në tavolinë…

Top Channel: Po kur do të vendoset përfundimisht?

Isa Mustafa: Këto ditë. Unë mendoj se brenda dy-tri ditëve ne duhet të kemi një vendim përfundimtar si do të shkojmë sepse ne jemi për atë që çështjet t’i sqarojmë para se të shkojmë në seancë të Kuvendit. 

Top Channel: A mund të ndodhë një koalicion më i gjerë se Blloku në rast se Blloku nuk e mirëkupton kërkesën e LDK-së?

Isa Mustafa: Tani për tani nuk kemi një qëndrim të tillë. Për qëndrime të tilla duhet të vendosë Këshilli i Përgjithshëm.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda koalicionit paszgjedhor se të dielën pasdite lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe ai i Nismës Fatmir Limaj kanë zhvilluar një takim me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj për ta bindur që të heqë dorë nga mandatari i kryeministrit.

Por, në partinë e Haradinajt nuk ka mirëkuptim që Isa Mustafa të zëvendësojë Haradinajn në postin e kryeministrit. Avni Arifi, këshilltar i parë i Ramush Haradinajt, ka deklaruar përmes telefonit për Top Channel se AAK-ja kurrë nuk do të pranojë që lideri i saj të largohet nga mandatari i qeverisë së Bllokut paszgjedhor.

Top Channel