Dhimbja e kolegëve për “Doktor” Florin

17/11/2014 00:00

Ndarja e parakohëshme nga jeta e Dr Florit ka prekur opinionin publik. Janë të shumta reagimet e njerëzve në Facebook ku shprehin tronditja mbi lajmin e hidhur dhe keqardhjen e thellë për humbjen e një artisti të dashur e popullor.

Miku i tij i hershëm dhe bashkëpunëtori Roland Hysi ka shkruar se “vajton pa fund në heshtje” duke e konsideruar dhimbjen si “një ferr mbi tokë”.  Ermal Mamaqi, një tjetër mik i vjetër ka vendosur foton e kantautorit në faqen personale. Aurela Gaçe ka shprehur trishtimin e dhimbjen e saj duke e konsideruar si një nga të paktët artiste të vërtetë. Elton Deda shkruan se artisti jeton për të lënë një gjurmë, babai për të lënë pasardhës dhe njeriu për të bërë gjëra të mira. “Besoj se i ke realizuar të gjitha”, vazhdon ai në komentin e tij.

Floran Kondi, lindi në shkurt të 1979-ës. Ai krijoi grupin “West Side Family” së bashku me shokët e tij të fëmijërisë Landin dhe Mirin. Një nga hitet e tyre: “Kena lind për qejf”, ku në Top Show, Flori do të rrëfente zanafillën e saj.

“E kam gjithmonë atë ndjesinë e mirë të fëmijërisë. Kënga doli sepse isha rritur, ishte atmosfera që kam përjetuar kur kam qenë fëmijë dhe e shkruajta këngë. Ata me veten e tyre janë rehat dhe janë njerëz pa maska. Ne që e quajmë veten të civilizuar, shpesh jemi me maska, nuk e japim veten ta tregojmë ashtu siç jemi”, do të deklaronte Dr Flori në Top Shoë, pak pas daljes së këngës “Kena lind për qejf”.

Dr Flori dhe grupi i tij në vitin 2003 nxorën hitin: “Tirona”, një këngë ku mori pjese dhe Kryetari i Bashkisë asokohe, Edi Rama.

Në fakt bashkëpunimi me Edi Ramën vazhdoi edhe 6 vite më pas, me një tjetër kënge “Çohu!”, e hedhur në treg gjatë fushatës elektorale të Partisë Socialiste.

“Gjithmonë kemi qenë, që në fillim përkrahës të Edi Ramës se sa të Partisë Socialiste”, do të tregonte ai vetë më vonë.

Përkrahja nuk do të vazhdonte më dhe do të bëhej e ditur sërish me anë të një kënge para zgjedhjeve të 2013-ës: “Zemërthyer”.

E ka konsideruar gjithsesi mik, duke e vlerësuar Kryeministri Rama në faqen e tij në Facebook në postimin: “Lamtumire miku im gjenial”.

Me një mori këngësh dhe bashkëpunimesh mes të tjerash “Origjinale”, “Ça na ke”, “Bota nuk është bardhë e zi” “Personale”, Dr Flori mbetet një figurë e dashur dhe popullore edhe për këngët që i dedikoi qytetit të tij, Tiranës.

Top Channel