BE, sanksione të reja kundër Moskës

17/11/2014 00:00

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian diskutojnë mbi një raund te ri sanksionesh ndaj Rusisë, një ditë pasi rebelët pro-Moskës vranë të paktën 9 ukrainas gjatë përleshjeve të ripërtërira në zonat lindore.

Nga sa pohoi shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në axhendën e takimit do të jetë edhe ndihma për reformimin e Ukrainës. Sipas saj, masat kundër Rusisë nuk do të funksionojnë, nëse nuk ecet përpara me reformat në vendin e trazuar prej Moskës, siç pretendon Perëndimi.

Mogherini thotë se blloku europian duhet të nisë një mision asistence për autoritetet ukrainase, i cili të ndihmojë në ristrukturimin e sigurisë civile të vendit.

“Sanksionet do të jenë çështja kryesore në tryeze. Megjithatë, ne do të diskutojmë edhe mbi marrëdhëniet me Rusinë në përgjithësi, si dhe dialogun me të me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të krizës”, tha Mogherini.

Vladimir Putin u përball me një breshëri kritikash të liderëve perëndimorë në samitin e G20-s në Australi. Pas largimit të tij të shumëmediatizuar përpara mbylljes së samitit, shefi i Kremlinit i tha televizionit gjerman “ARD”, se për konfliktin e Ukrainës duhen fajësuar të dyja palët.

Kushdo i hyn një lufte me besimin se është ai që ka të drejtë, do të gjejë mënyrat për të siguruar armë, tha Putin. Kreu i shtetit rus beson që mund të ketë një rrugëdalje nga ngërçi, por Moska – sipas tij, – i druhet një prirjeje të Ukrainës drejt neonazizmit.

Është një komb i madh me njerëz të mëdhenj, u shpreh Putin, por diçka mungon: ndërgjegjësimi se, për të qenë një shtet i suksesshëm, i qëndrueshëm e me rritje ekonomike, njerëzit duhet të ndajnë bindjen se ajo është shtëpia e tyre e përbashkët, pavarësisht gjuhës së folur, qoftë ajo hungarishtja, rusishtja, gjuha ukrainase apo polonishtja.

Top Channel