Greqia kujton sot 41-vjetorin e protestave studentore, që u shtypën prej juntës ushtarake të kolonelëve grekë në vitin 1973.

Shumë grekë vendosën lule në memorialin e studentëve të ekzekutuar prej kolonelëve gjatë shtypjes së protestave të tyre me tanke dhe armë. Që prej nëntorit të 1973-shit, mijëra grekë protestojnë kundër dhunës policore, por edhe rolit amerikan në ndihmë të juntës amerikane në ato vite.

Si çdo vit, edhe tani studentët mbushin rrugët pranë Politeknikumit të Athinës, e në vazhdim pritet t’i drejtohen Ambasadës amerikane për të hedhur parrulla kundër SHBA-ve.

Policia greke njoftoi se, për shmangien e përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të saj, ka vënë në dispozicion më tepër se 7000 forca policie, të pajisura me veshje speciale, si dhe dy helikopterë, pompa uji me presion dhe mijëra bomba gazi lotsjellës.

Që prej orëve të mëngjesit, në kryqëzimet kryesore të qendrës së Athinës janë vendosur policë, ndërsa është ndaluar edhe parkimi në qendrën e kryeqytetit. Policia u bëri apel protestuesve të ruajnë qetësinë, të protestojnë konform ligjeve të vendit.

Ministria greke e Rendit njoftoi se nuk do të tolerojë asnjë akt dhune në rrugët e qyteteve greke. Të njëjtat masa sigurie janë marrë edhe në Selanik, Patër dhe Iraklio të Kretës, ku pritet të zhvillohen protesta të ngjashme.

Top Channel