Dieta mesdhetare kundër obezitetit

17/11/2014 00:00

Lufta kundër obezitetit, më shumë se sa me llogaritje kalorish, fitohet me dietën mesdhetare.

Për ekspertët britanikë, që rezultatet e kërkimeve të tyre i kanë publikuar në revistën mjekësore “MPJ”, kjo mund të jetë një zgjidhje shumë më e mirë se sa ushqimi i kontrolluar me nivele të ulta yndyrnash, e redukton gjithashtu në mënyrë të shpejtë rrezikun e një ataku kardiak, apo hemorragjisë cerebrale.

Konsumoni pa frikë bukën, orizin, patatet, makaronat, shoqëruar sigurisht me shumë perime e fruta, është këshilla e tyre. Nuk ka përse lihet mënjanë qumështi e produktet e tij: mishi, peshku, vezët apo dhe burime të tjera proteinash, që nuk vijnë nga bulmeti.

Nga ana tjetër, ushqimet me nivele të larta kripe e sheqeri duhen konsumuar më pak dhe në sasi më të vogla. Zyra e shëndetit publik në Britani po rishikon të gjitha informacionet e dhëna deri tani, mbi atë që quhet “pjata e të ushqyerit të mirë”, të përdorura në mbarë vendin si udhëzues mbi ushqimin e shëndetshëm.

Ndër rekomandimet e saj janë edhe recetat e gatimit me kalori të llogaritura si ndihmëse për arritjen e një peshe të qëndrueshme. Autoritetet shëndetësore në vend e kanë theksuar vazhdimisht nevojën për veprime urgjente në frenimin e fenomenit të përhapur të mbipeshës dhe problemeve shëndetësore, që shpesh burojnë prej tij.

Gjithmonë e më shumë, ekspertët janë duke i mëshuar idesë së një kontrolli të sasisë së ushqimit, gjithmonë jo në kurriz të cilësisë së tij, ndërsa dietat ekstreme – sipas tyre – jo vetëm nuk kanë vlerë në periudhën afatgjatë, por përkundrazi janë të dëmshme.

Top Channel