Trafiku i klandestinëve në Britani

17/11/2014 00:00

14 shqiptarë, që tentonin të hynin ilegalisht në një port anglez me një anije, janë arrestuar nga autoritetet britanike të Emigracionit, njofton BBC.

Mes tyre është edhe një minoren i moshës 14-vjeçare. Anija pritej të ankorohej në portin jugor të Eastbourne dhe nuk dihet ende se nga ishte nisur.

Shqiptarët e moshës 19 deri 39-vjeçare janë duke u mbajtur në policinë lokale, në pritje për t’u dërguar në kampet e refugjatëve, për t’iu nënshtruar procedurave të azilit.

Ministria e Brendshme britanike, “Home Office”, njofton se bashkë me shqiptarët është arrestuar edhe një shtetas britanik, me dyshimin se ka lehtësuar hyrjen ilegalisht të shqiptarëve në Britani dhe ndodhet ende në polici.

Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë. Policia thotë se të gjithë personat në bordin e anijes janë ndaluar nga zyrtarët britanikë të kufirit dhe hetimet për mbërritjen e anijes në portin anglez vazhdojnë nga policia.

Britania mbetet një nga vendet, ku shqiptarët vazhdojnë të mbërrijnë në numra të konsiderueshëm dhe në mënyrë të pandërprerë. Gjendja e mirë ekonomike e Britanisë dhe mundësia për të aplikuar për azil për të rinjtë nën moshë dhe femrat e trafikuara, apo shqyrtimi i kërkesave për gjakmarrje apo për orientimin seksual të aplikantëve, bëjnë që shumë shqiptarë të vijnë në format nga më të ndryshme dhe të rrezikshme në ishull.

Shqiptarët vijnë sa me dokumente false udhëtimi, me linja ajrore e trena të Eurostarit, e deri me anije luksoze e avionë privatë. Ka pasur edhe raste fatalitetesh, por një pjesë e madhe e atyre që vijnë qëndrojnë në të zezë, ndërkohë që autoritet e Emigracionit vazhdimisht deportojnë shqiptarë drejt Shqipërisë apo Kosovës me avionë “charter”.

Pavarësisht kësaj, shqiptarët ende vazhdojnë të vijnë në Britani, shumica ilegalisht, dhe një pjesë e tyre, edhe pse mund të jenë deportuar më parë.

Top Channel