Holandë, shfaqet virusi H5N8

17/11/2014 00:00

Komisioni Europian përgatitet të diskutojë marrjen e masave urgjente mbrojtëse, pas zbulimit të një shtami tejet infektues të gripit të shpendëve në një pulari të Holandës.

Arsyeja përse Komisioni do të mblidhet në një takim të paparashikuar është pikërisht diskutimi i mënyrave mbi frenimin e një epidemie. Sipas qeverisë holandeze, virusi H5N8 e ka potencialin të prekë dhe njerëzit. Në fshatin Hekendorp ka nisur aktualisht asgjësimi i 150.000 pulave në fermën e infektuar.

“Ky variant shumë patogjen i gripit të shpezëve është mjaft i rrezikshëm për zogjtë, por sëmundja mund të përcillet edhe te njerëzit. Kjo mund të ndodhë sidoqoftë vetëm në rast kontakti me shpendët e infektuar”, thanë zyrtarë nga qeveria holandeze.

Prodhimet e fermës në fjalë shiten kryesisht brenda Holandës dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre eksportohen në Gjermani. Autoritetet kanë ndaluar menjëherë në mbarë vendin transportimin e pulave dhe vezëve.

Në fillim të këtij muaji ishte një fermë gjermane, që diktoi raste të virusit tepër infektues H5N8, për të cilin nuk ka pasur raporte të mëhershme në Europë. Kontinenti i vjetër nuk ka pasur asnjë rast infektimi të njerëzve prej tij, por shpërthimi i një epidemie në Korenë e Jugut tregoi se sëmundja duhet frenuar sa më shpejt e kjo mund të arrihet vetëm përmes asgjësimit të miliona shpezëve.

Edhe pse bëhet fjalë sërish për grip shpendësh, zyrtarët e përjashtojnë praninë e shtamit vdekjeprurës H5N1, i cili ka marrë 384 jetë njerëzish në periudhën e viteve 2003-2013, me raste infektimi të raportuara në 15 shtete të botës.

Top Channel