Papa Françesku, në SHBA shtatorin e 2015-s

17/11/2014 00:00

Papa Françesku ka bërë të ditura planet e tij për të vizituar Shtetet e Bashkuara në shtatorin e vitit të ardhshëm, në atë që konsiderohet udhëtimi i tij i parë që prej emërimit në krye të katolikëve të të gjithë botës.

Papa Françesku deklaroi se do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare të katolikëve mbi martesën në Filadelfia. Ai pritet gjithashtu të flasë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, si dhe të takohet me Presidentin Barack Obama në Uashington.

Njoftimi pritej me padurim të madh, pas muajsh të tërë spekulimesh, dhe u bë gjatë një konference ndërfetare mbi vlerat familjare, në Vatikan.

Duke folur gjatë së hënës nga Vatikani, në një takim ndërfetar me të pranishëm protestantë, muslimanë dhe hebrej, Papa tha se do të udhëtojë drejt Filadelfias për “Takimin Botëror të Familjeve”, një takim i sponsorizuar nga Kisha Katolike Romane, e që zhvillohet çdo 3 vjet.

Faqja e internetit e kësaj konference bëri të ditur përmes një deklarate, se Papa Françesku me shumë mundësi do të udhëtojë nga 25-27 shtatori, edhe pse datat janë ende subjekt ndryshimi deri në finalizimin e tyre.

Kryepeshkopi i Filadelfias, Charles Chaput, i cili e ka ftuar personalisht Papën, tha se ai ndihej “tejet i gëzuar” nga shpallja, duke shtuar se “shenja dalluese e Papatit të tij ka qenë fokusi i prirur drejt shumë sfidave, me të cilat familjet përballen sot në të gjithë globin. Karizma e tij, prezenca dhe zëri i tij do të elektrizojnë të pranishmit e asaj dite”.

Papa Françesku do të bëhet i katërti Papë që viziton Shtetet e Bashkuara, në një vizitë që zyrtarët katolikë bëjnë të ditur se mund të mbledhë mbi 1 milion banorë.

Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, Papa ka marrë ftesa nga Presidenti Obama, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, si dhe nga Kongresi, por edhe letra nga më shumë se 10 mijë fëmijë shkollash në Filadelfia, duke e inkurajuar atë ta ndërmarrë këtë udhëtim.

Top Channel