Shitet 1.9 milion euro kapelja e Napoleonit

17/11/2014 00:00

Një koleksionist koreano-jugor ka paguar 1.9 milionë euro në një ankand për t’u bërë pronari i ri i kapeles së veshur nga perandori francez Napoleon.

Kapelja me dy cepa, një stil i përdorur gjerësisht nga oficerët ushtarakë në atë kohë, u dhurua nga Napoleoni gjatë betejës së Marengos në vitet 1800. Më vonë ajo iu ofrua si dhuratë një mjeku të perandorit.

Familja mbretërore në Monako e nxorri objektin në shitje bashkë me disa qindra objekte të tjera të ikonës së historisë franceze në ankandin e zhvilluar në afërsi të Parisit.

Koleksioni ishte mbledhur nga princi Louis II i Monakos, stërgjyshi i monarkut aktual, princi Albert. Familja në fjalë po i shet objektet për të financuar restaurimin e një pallati.

Shtëpia e ankandit e nisi shitjen me një çmim prej 300 mijë dhe 400 mijë euro, por ekspertët kishin parashikuar se çmimi do të ngrihej shumë më tepër.

Blerësi koreano-jugor pagoi fillimisht 1.5 milion euro, për ta rritur më pas disa herë kundrejt ofertave rivale deri në 1.9 milion.

Kapelja është një nga 19 kapele të Napoleonit që mendohet se ekzistojnë ende, pasi thuhet se perandori ka pasur 120 të tilla gjatë karierës së tij.

Edhe pse kapelja me dy cepa ishte një objekt i zakonshëm në uniformën e atëhershme ushtarake franceze, perandori e vishte atë në mënyrë anësore për t’u dukur më shumë në fushën e betejës.

Napoleoni u vetëshpall perandor në vitin 1804 dhe iu shpalli luftë perandorive të vjetra evropiane, duke pushtuar pjesën dërrmuese të kontinentit, para humbjes përfundimtare në vitin 1815.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel