Mijëra studentë nga Universiteti ‘Kirili dhe Metodi’ në Shkup kanë protestuar kundër një nisme të Ministrisë së Arsimit, me të cilën parashikohet që studentët në fund të vitit të dytë dhe të katërt t’i nënshtrohen provimit shtetëror.

Testimi i studentëve, që parashikohet të kryhet nga komisionet e Ministrisë së Arsimit, sipas protestuesve cënon autonominë e universiteteve dhe është në kundërshtim me sistemin e Bolonjës.

“Ky lloj testimi nuk funksionon askund përveç se në një universitet në Danimarkë dhe sipas meje nuk është me rëndësi për testimin e njohurive të studentëve askund në Evropë”, protestoi një student.

“Jam student në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup dhe protestoj kundër testimit shtetëror që pushteti dëshiron ta aplikojë nëpër universitete, pasi zbatimi i një testimi të tillë shkatërron arsimin e lartë”, u shpreh kundër një tjetër.

Studentët që protestuan para godinës së Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit kërcënuan se nuk do të ndërpresin protestat derisa autoritetet të heqin dorë nga nisma për provimin shtetëror.

Protesta e sotme u mbështet nga disa profesorë, ndërsa të rinjtë kërkuan përkrahje edhe nga kolegët e tyre në universitetet e tjera të vendit.

“Jam i sigurt se pushteti do të mbetet i shurdhër ndaj kërkesave tona, sepse ai nuk dëgjon asnjëherë kërkesat e qytetarëve. Por shpresoj që ne, si qytetarë të Maqedonisë, ta rrëzojmë qeverinë ashtu siç e kemi zgjedhur”, tha një prej protestuesve.

Ministria e Arsimit me zbatimin e provimit shtetëror ka për qëllim të kontrollojë cilësinë e punës së universiteteve përmes matjes së njohurive të studentëve.

Gjatë promovimit të kësaj nisme, ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi ka thënë se ideja është që studentët të fitojnë njohuri cilësore dhe jo diploma pa dije.

Top Channel