Rama: Keqardhje! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët

17/11/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për foton e Enver Hoxhës së shfaqur në aktivitetet për 70-vjetorin e çlirimit të Tiranës, të përkujtuar ditën e hënë.

Rama u është kundërpërgjigjur “me keqardhje” akuzave në rrjetet sociale, ku shkruan: “Keqardhje për të paftuarit që futen si diversantë nëpër turmat e aktiviteteve përkujtimore të çlirimit, për të ngritur fotografitë e Enver Hoxhës. Keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotografive të Enver Hoxhës, për të bërë luftë politike me ne. Të dyja palët janë e shkuara e këtij vendi i cili s’ka kohë për të humbur me marrëzitë e tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”.

Më herët, nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Edi Paloka opozita akuzoi udhëheqësit e mazhorancës, Rama dhe Meta për përdhosje të luftës dhe rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës.

“Me fotot e Enverit pas shpatullave, me korin e Enverit në sfond, Rama dhe Meta, gjetën mënyrën më të turpshme për të baltosur 70 vjetorin e clirimit të Tiranës. Duke përkujtuar këtë ditë të shënuar, me dikatorin Hoxha, Rama dhe Meta, kanë fyer kujtimin e dhjetra intelektualëve, heronjtë e vërtetë të luftës, të cilët u vranë dhe u lincuan drejtpërdrejt nga dora e Enverit”, tha Paloka.

Top Channel