Disa informacione mbi kancerin e kolonit

17/11/2014 00:00

Kanceri kolorektal është një ndër tre llojet e kancerit më të përhapur në botë. Kjo sëmundje formohet në indin e kolonit, pjesën më të gjatë të zorrës së trashë.

Rreziku bazë në shoqëritë perëndimore është rreth 6%. Faktor risku më i shpeshtë është mosha mbi 50 vjeç, polipet kolorektale, histori familjare me këtë sëmundje, ushqimi etj.

Mjeku mund ta diagnostikojë kancerin kolorektal në bazë të rezultateve, nëse ju paraprakisht i jeni nënshtruar ndonjë testi “screening”. Këto teste arrijnë ta zbulojnë kancerin, edhe përpara shfaqjes së simptomave.

Por, kur diagnostikimi është në një fazë të avancuar të kancerit, është e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale. Me zhvillimet teknologjike, çdo gjë është bërë më e lehtë.

Fazat e hershme të kancerit të kolonit mund të largohen me ndihmën e një gypi të hollë të ndriçuar (laparoskop). Gypi futet në kolon përmes disa prerjeve, që bëhen në zonën e barkut.

Përveç tumorit, mjeku largon edhe një pjesë të shëndetshme përreth tumorit. Nyjat limfatike në afërsi mund po ashtu të largohen.

Kirurgu kontrollon edhe pjesën tjetër të zorrës dhe mëlçinë tuaj, për të parë nëse kanceri është shpërndarë edhe aty. Kjo mënyrë mini-invazive bën që edhe rikuperimi të jetë më i shpejtë.

Top Channel