“Do ftoj dikë shumë special, është një njeri i veçantë dhe një artist,
që ka qenë i tillë që kur ka qenë i vogël. Ndërsa tani duket si një bebe
gjigant. Është shoku im i ngushtë, doktor Flori”.

Vetëm dy ditë më parë, ndamë një mbrëmje shumë të veçantë me Dr. Florin. Në emisionin “6 ditë pa Ermalin”, në kanalin T në Digitalb, kantautori i njohur tregoi për projektin më të fundit të tij, një emision i cili do e shkëpuste të paktën përkohësisht nga muzika.

“Meqë muzikës ia kam nxjerrë fundit, thashë ta provoj njëherë të bëj një emision. Po do ti që ka dalë shumë mirë?”, tha Flori si i ftuar special i Ermalit.

Në formë shumë të mirë, me batuta dhe me histori që na bënë të qeshim pafund, edhe këtë mbrëmje pamë Florin e përhershëm: të çlirët e të sinqertë. Djalin e ri, që shumë vite më parë u bë i njohur në skenë, bashkë me dy shokët e tij të klasës, me të cilët ngriti njërin nga grupet “Rap” më të njohura muzikore shqiptare, “West Side Family”.

Por, ndër vite, përveç si këngëtar, Dr. Flori spikati si kantautor dhe si lançues i talenteve të reja. Bashkëpunimet e fundit me Ermal Mamaqin ishin hite të padiskutueshme, që sollën një formë tjetër të artistit, që në thelb të krijimtarisë së tij kishte problematikat sociale.

Edhe pse protagonist në media, ai preferonte të mbante larg kamerave familjen. Vetëm prej një muaji, Flori ishte bërë baba për herë të dytë. Dashuria e tij e madhe, pas bashkëshortes, ishte vajza Kaltrina, e cila në dhjetor bën 8 vjeç. Ditëlindje, në të cilën do të mungojë, ashtu sikurse do na mungojë të gjithëve si artist.

Top Channel