Ish-banorët e “Big Brother”: Kur mblidhemi në shtëpi me miqtë tanë

17/11/2014 00:00

Shtëpia e Eldorës ka qenë gjithmonë e hapur për miqtë. Që kur ishte e vogël, ajo i ftonte shoqet e saj të provonin gatimet, që përgatiste e ëma. Madje, edhe një pjesë e mikeshave që ishin mbledhur mbrëmjen e kaluar, janë rritur me shijen e recetave të mami Eftit.

Profesioni i kuzhinieres ka bërë që tryeza e tyre të jetë e shtruar si në restorantet më të mira tradicionale. Mami Efti e gatuan me kënaqësi të madhe dhe njeh pjatën e preferuar të secilës prej mikeshave të vajzës së saj.

“Është njëra Afërdita, që sapo vjen në aeroport më merr në telefon edhe më thotë erdha unë mami Efti. Mami më thotë dhe më kërkon fileto pule të mbushura me proshutë, kastravec turshi dhe djathë kaçkavall. Për ato vdes. Ndërsa kjo (njëra prej mikeshave të ftuara) ka qejf rosnicat e Beratit. Suzi kërkon byrek, por përgjithësisht nuk bëjnë naze”, shprehet e ëma e Eldorës, Efti.

E ndërsa vajzat bisedojnë në sallon me njëra-tjetrën, zonja e shtëpisë kalon në territorin e saj. Kjo sepse do të përgatisë receta të thjeshta, por rezultati është gjithmonë i dëshiruari.

“Po përgatis një nga pjatat e preferuara të Eldorës dhe mikeshave të saj, rizoto me perime. Pasi kemi larë zarzavatet, i presim ato në forma sipas dëshirës, e më pas i kavardisim për të ruajtur ngjyrën e tyre, duke u shtuar edhe ujë për të zierë pak. Më tej shtojmë orizin dhe kripën, një pjatë e shpejtë kjo që gatuhet për 20 minuta. Ndërsa pjata tjetër është një fileto pule me verë dhe limon. Filetot i lyejmë me miell dhe i bëjmë gati për t’i skuqur nga të dyja anët, por jo shumë. I shuajmë me verë dhe më pas i grijmë limonin, duke i shtuar edhe kripën, piperin dhe majdanozin”, shpjegon më tej mami Efti.

Këto ishin recetat, që ia sugjeron çdo amvise për të bërë përshtypje të mirë te miqtë, e që përgatiten në një kohë të shkurtër. Për të pasur larminë e përhershme në tryezë, më herët kishte përgatitur shumëllojshmëri sallatash, byrek me spinaq, dhe një tortë në krem pastiçerie.

E vetëm kur ushqimi është në pjata, e aroma e mirë ndihet kudo në shtëpi, vajzat ofrohen të shtrojnë tryezën. Kjo është puna e tyre. Përveç shijes e bisedave të ngrohta, vakti përfundon me vajzat që kërkojnë recetat e mami Eftit.

Top Channel