Pr/buxheti 2015, Nishani notë proteste Kuvendit

17/11/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u ka dërguar pasditen e së hënës një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare, ku ka shprehur protestën e tij ndaj ndarjes së buxheteve të institucioneve në kuadër të pr/buxhetit të vitit të ardhshëm.

Në letrën e tij, Nishani e vë theksin tek shkurtimi drastik i shpenzimeve për Presidencën, institucion që sipas tij përballet me aktivitete të shumta në kuadër të përmbushjes së funksioneve të tij.

“Në pamundësi për t’u dëgjuar, edhe pse zyrtarisht kemi kërkuar të dëgjohemi nga Komisioni i cili mbulon veprimtarinë e institucioneve të pavarura, jam i detyruar t’ju paraqes disa problematika që implikojnë veprimtarinë e institucionit të Presidentit të Republikës përgjatë vitit 2015, ndërkohë që projektbuxheti i vitit 2015 po diskutohet në seancë plenare. Për vitin 2014, institucionit të Presidentit të Republikës, megjithëse me ulje të theksuar krahasuar me dhjetë vitet e fundit, iu akorduan 183.2 milionë lekë në total, ndërkohë që për vitin 2015 janë parashikuar 177 milionë lekë, me një diferencë negative prej rreth 3.4% më pak. Po kështu, për zërin e shpenzimeve të tjera operative në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar një ulje e këtij zëri me 8.5% më pak”, thotë Nishani në letrën e tij.

Për vetë natyrën specifike të institucionit, vijon kreu i shtetit, për përmbushjen e funksioneve si në veprimtarinë brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, Presidencës i dalin vazhdimisht aktivitete shumë të rëndësishme për t’u kryer.

“Duke shpresuar në pranimin e shqetësimeve të sipërpërmendura dhe reflektimin përkatës, kërkojmë të vendoset buxheti i Presidentit të Republikës në parametrat e funksionimit normal të këtij institucioni dhe të përmbushjes së misionit kushtetues të kreut të Shtetit Shqiptar”, përfundon letra e Nishanit.

Top Channel