Buxheti, debate brenda mazhorancës

17/11/2014 00:00

Në mungesë të opozitës ka qenë deputeti socialist Pandeli Majko i cili ka bërë oponencën e buxhetit përballë qeverisë, duke shprehur rezerva mbi rritjen e disa taksave.

“Nuk mendoj se shqiptarëve do t’u shëndoshet familja duke lënë duhanin. Ndër faktorët që sot janë prishës të familjeve, pijet alkoolike janë një faktor i rëndësishëm. Apo jo, zoti Beqja? Por në programin që na keni sjellë nuk ka ndonjë taksë për to”, deklaroi Majko.

“Janë dy grupe sëmundjesh që po u kushtojmë kujdes: kardiovaskulare dhe tumorale. Është botërisht e njohur dhe e pranuar se duhanpirja është shkaktarja kryesore e këtyre dy sëmundjeve. Prandaj ne duhet ta trajtojmë çështjen e duhanit”, u përgjigj ministri i Shëndetësisë, Beqja.

Deputeti socialist i kryeqytetit i kërkoi qeverisë të mos e trajtojë buxhetin si numra, por të tregojë më shumë ndjeshmëri ndaj shtresave në nevojë.

“Ne sot votojmë faljen e kamatvonesave për pensionet në fshat. Ç’na gjeti të falim edhe kamatvonesat e atyre që janë në sistemin e mbrojtjes sociale për faturat e energjisë? Unë nuk besoj se kjo na shmang ndonjë faturë të kripur financiare. Përkundrazi, na bën më të ndjeshëm ndaj personave në nevojë”, u shpreh Majko.

Por ky propozim ka hasur në kundërshtimin e fortë të kryeministrit, i cili deklaroi se qeveria ka një tjetër skemë për të mbrojtur të varfërit nga çmimi i energjisë.

“Ne nuk do falim asnjë kamatvonesë dhe askënd që nuk paguan energjinë. Kjo është diçka që e kemi të shkruar në Kodin Penal dhe të cilës do t’i nënshtrohen të gjithë. Prandaj po u japim 16 milionë dollarë të gjithë atyre që deri dje me demek ua kemi rimbursuar, por i kemi lënë me gishtin në gojë”, deklaroi Rama.

Zoti Rama tha se qeveria nuk do të bëjë asnjë kompromis në luftën ndaj atyre që vjedhin energjinë elektrike.

“Kjo është një temë që për ne duhet të jetë tabu, me çdo çmim. Edhe me çmimin që njerëzit të thonë ‘duam një qeveri tjetër sepse duam energji elektrike’. Le ta zgjedhin një qeveri tjetër, sepse ne nuk jemi zgjedhur për këtë”, tha Rama.

Top Channel