Mbyllen hetimet për Kostandin Xhuvanin

17/11/2014 00:00

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim shtetasin Kostandin Xhuvani, si të akuzuarin e vetëm për vrasjen e katërfishtë të ndodhur në Tiranë pak ditë më parë.

Prokurorët Enklid Gjini dhe Erion Pano kanë rindërtuar të gjithë skenën e ngjarjes sipas dëshmive të mbledhura nga personat e pranishëm në lokal dhe kanë sjellë më në fund një version zyrtar të asaj çka ndodhi në klubin tashmë të famshëm të tragjedisë.

Prokurorët thanë në kërkesën për gjykim se Xhuvani së bashku me tre shokët e tij ishin të ulur në lokal pranë dy personave të tjerë që dëshmitarët i njihnin si “Beratasi” dhe “Kolonjari”, që në këtë rast bëhet fjalë për të ndjerët Edison Jaho dhe Ena Xhaja.

Katër shokët kanë pororsitur pije alkoolike gjatë gjithë kohës, ndërkohë që më vonë njëri prej tyre, Erald Sida është larguar me një femër që ndodhej në një tavolinë tjetër.

Dëshmitarët i kanë thënë prokororisë se rreth orës 4.10 të mëngjesit Edison Jaho dhe Enea Xhaja kanë debatuar me personat në tavolinën tjetër ku ndodhej Xhuvani.

Dëshmitari, që identifikohet me inicialet A.B, punonjës i sigurisë së lokalit që ka dëshmuar për prokurorët, shprehet se ka parë personin që e njihte si “Beratasi” (Enea Xhaja) të bëjë fjalë me një djalë tek banaku, që më pas e ka goditur me pëllëmbë e që në këtë rast është Xhuvani.

Pas kësaj, sipas dëshmitarit, Xhuvani është larguar ndërkohë që Enea Xhaja i ka thënë punonjësit të sigurisë se nuk kishte asnjë problem pasi ai dhe personi që kishte goditur njiheshin.

Ndërkaq, personi që ishte qëlluar me shuplakë ka dalë jashtë bashkë me dy shokët e tij dhe më vonë ata janë kthyer në lokal ku Kostandin Xhuvani iu është drejtuar Xhajës dhe Jahos duke u thënë: “çfarë kishit ju të dy”, e më pas ka qëlluar me armë në drejtim të tyre.

Në këtë moment në lokal është kthyer shoku i Xhuvanit, Erald Sida, i cili ishte larguar para krimit dhe qe e ka pyetur Xhuvanin “çfarë bëre kështu”. Ndërsa Xhuvani, sipas dëshmitarëve, i ka thënë “më duket se kam vrarë edhe Arbërin”.

Ndërkohë, dëshmitari tjetër i prokurroisë, që rrëfen se çfarë ka parë jashtë skenës së krimit, ka shtuar se ka parë Xhuvanin duke u larguar me armë në dorë.

Ky shtetas me inicialet E.B ka ndihmuar policinë teksa Xhuvani tentonte të largohej duke e bllokuar. Xhuvani, sipas qytetarit, fillimisht e ka sharë, pastaj e ka kanosur, i ka thënë se është djali i Luiza Xhuvanit e pastaj i ka premtuar “më lesho se do të ta shtroj me flori”.

Por këto kanë qenë fjalët e fundit që Xhuvani ka thënë, pasi në këtë moment ai është kapur nga efektivët e policisë.

Top Channel