Bujqësia, së shpejti harta e rajonalizimit

17/11/2014 00:00

Qeveria do të paraqesë brenda pak ditësh hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor. Kryeministri Edi Rama tha se ky dokument, i cili miratohet për herë të parë do të jetë baza e gjithë politikave për mbështetjen e bujqësisë dhe fermerëve.

“Organizimi i prodhimit bujqësor do të bëjë që të ketë një raport shumë më transparent mes fermerit dhe shtetit. Dhe ne do themi në mënyrë transparente se cilat kultura do mbështesim dhe në ç’formë do t’i mbështesim”, deklaroi Rama.

Në fjalën për buxhetin zoti Rama u ndal gjatë tek mbështetja që bujqësia do të marrë vitin e ardhshëm përmes paketës së posaçme lehtësuese dhe për herë të parë ai shpjegoi edhe se si do të funksionojë skema e rimbursimit të naftës për bujqit.

“Kush pretendon që të ketë një naftë më të lirë duhet të formalizohet, të bëhet pjesë e sistemit. Naftë më të lirë jashtë sistemit nuk ka, sepse historia ka treguar se nafta jashtë sistemit ka prodhuar vetëm korrupsion e maskarallëk”, theksoi Rama.

Në paketën lehtësuese për bujqësinë qeveria rrit masën e TVSH-së që rimburson për fermerët nga 6 në 20 për qind. Po kështu, paketa heq taksat e importit dhe TVSH-në për lëndët e para dhe makineritë bujqësore.

Top Channel