Thaçi optimist për zgjidhjen e krizës

17/11/2014 00:00

Prishja e partneritetit të koalicionit paszgjedhor të Kosovës për postin e kryeministrit ka shtyrë kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi të besojë se krizës politike i ka ardhur fundi.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi i ka ftuar subjektet që me shpejtësi të reflektojnë dhe të ndërtojnë së bashku institucionet.

“Ndihem i inkurajuar që partitë kryesore politike kosovare më në fund e kanë kuptuar se bllokimi i mëtejshëm i themelimit të institucioneve të reja është i pakuptimtë dhe i pajustifikueshëm. Unë ndjej keqardhje për kohën e humbur, mirëpo konsideroj se ne si parti politike tani duhet të kemi vullnet politik që të themelojmë institucionet e reja sa më shpejt, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. PDK-ja, si parti fituese vlerëson se bazë për ndërtimin e institucioneve të reja duhet të jetë rezultati zgjedhor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkohë, në bllokun paszgjedhor po vazhdojnë përpjekjet e fundit që të ruhet koalicioni, por lideri i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i AAK-së Ramush Haradinaj janë të prerë në kërkesat e tyre për t’u bërë kryeministër.

Liderët e Bllokut, pa Mustafën, janë takuar të hënën pasdite me dyer të mbyllura për të diskutuar fatin e koalicionit. Ndasitë mes partnerëve janë thelluar dhe Mustafa nuk ka takuar më kolegët e deritashëm të Bllokut.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vendosë përfundimisht të mërkurën nëse do të vazhdojë me koalicionin apo do të mendojë për një partneritet të ri me PDK-në.

Top Channel