Opozita “bojkot” buxhetit 2015

18/11/2014 00:00

Buxheti 2013 ishte kryefjalë e diskutimeve në Parlament vetëm me pjesëmarrjen e mazhorancës ditën e hënë. Opozita bëri oponencën e saj nga selia e Partisë Demokratike.

E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku foli mbi kundërshtitë e opozitës ndaj buxhetit, si edhe mbi protestën e parashikuar për t’u zhvilluar më 22 nëntor.  

Pandi Gjata: A mund të na thoni pika kryesore se ku qëndrojnë kundërshtitë e opozitës ndaj buxhetit të viti 2015?

Jorida Tabaku: Edhe vitin e kaluar ne kemi kundërshtuar të njëjtat gjera dhe filozofinë me të cilën është ndërtuar buxheti. Ne besojmë që sistemi fiskal që po instalohet nuk është ai që i duhet Shqipërisë për të nxitur investimet e huaja, për të krijuar qëndrueshmëri për biznesin dhe për të ulur informalitetin nga ana tjetër. Çfarë nënkuptojmë me këtë? Në qoftë se patëm një rritje të përgjithshme të taksave, tatimi mbi fitimin dhe shumë taksa të tjera u rritën me 50 përqind dhjetorin e kaluar, tani çdo e ardhur tjetër rriten sërish me 50 përqind. Kjo do të pezullojë komplet sektorin privat. Bizneset do të detyrohen që të paguajnë më shumë tatime. Gjithashtu nga kjo filozofi e rritjes së taksave do të rritet informaliteti. Të ardhurat e këtij viti kanë treguar që sistemi fiskal, i cili fillon nga 7.5 përqind tek biznesi i vogël dhe përfundon me 23 përqind tek të ardhurat mbi 130 mijë lekë, është shumë kompleks  dhe ka shtysa për rritjen e informalitetit. Të ardhurat tregojnë se një pjesë e madhe e grupeve që janë në nivele më të larta kanë tentuar që të nënraportojnë për nivelet më të ulëta. Këto elementë bashkë, si rritja e informalitetit dhe rritja e barrës fiskale në përgjithësi, por edhe humbja e avantazhit konkurues që kishte Shqipëria në rajon si vend me taksa më të ulëta, janë duke krijuar probleme për investimet private. Kjo ka qenë kryesisht ankesa që ne kemi pasur nga pikëpamja filozofike dhe mënyra sesi është hartuar paketa fiskale. Gjithashtu kemi kundërshtuar faktin se një sërë taksash rriten. Përmenda tatimin mbi të ardhurat personale, gjithashtu rritet sërish taksa e qarkullimit.

Pandi Gjata: Çfarë përllogaritjesh keni bërë mbi taksat?

Jorida Tabaku: E ka përllogaritur qeveria barrën fiskale, por pjesa më e madhe do të jenë taksa që rriten mbi konsumatorin. Për dy vite taksat rriten 860 milionë dollarë. Ndërkohë, në 4 vite, nga 2009 deri në 2013, taksat janë rritur 700 milionë dollarë. Nëse këto para nuk qarkullojnë në ekonomi heqin mundësi punësimi për bizneset. Rritja e taksave për disa grupe të caktuara dhe rritja e barrës fiskale, e shoqëruar me një shtrëngesë të madhe në shpenzime, një pjesë e madhe të buxheteve të sektorëve prioritarë është në rënie, e shoqëruar edhe me rritjen e çmimit të energjisë, bëjnë që ekonomia të mos marrë frymë. Taksat nuk ulen për përfitimin e biznesit, por për konsumatorët. Kjo duhet shoqëruar me shpenzime në sektorët prioritarë, ndërkohë që pjesa më e madhe e këtyre sektorëve është me ulje.

Pandi Gjata: Qëndrojmë tek investimet. Sipas qeverisë, investimet do të jenë mbi 5% të prodhimit të përgjithshëm, e cila do të çonte në një rritje të ekonomisë në 3%. Ku janë dyshimet tuaja në këtë pjesë?

Jorida Tabaku: Dua të ndalem në dy momente. E para, qeveria kishte përllogaritur për vitin aktual një rritje ekonomike prej 2.1%, ndërkohë që të dhënat e INSTAT raportojnë për 0.6%. Pra, parashikimi i qeverisë mbetet gjithmonë si i tillë. E vërteta është që vitin e kaluar paketa fiskale rëndoi mbi bizneset dhe bëri që tremujorin e dytë ne të kishim rënie ekonomike. Investimet në pjesën më të madhe të rasteve janë në ulje në vlerë nominale, ndërkohë që si përqindje e produktit të brendshëm bruto janë të njëjta me vitin e kaluar. Dëgjova me shumë vëmendje ministrin Haxhinasto, i cili tha se ‘janë 79 kantiere të hapura, ndërkohë që ne do të punojmë vetëm në 15 prej tyre për t’i mbyllur’. Një mosrealizim total, duke pasur parasysh edhe eksperiencën e vitit aktual, ku qeveria deklaroi se do të përfundonte shlyerjen e borxheve dhe do të fillonte dhe investime të reja. Sigurisht që edhe ne e kemi diçka me çfarë ta krahasojmë. Jo gjithmonë rritja ekonomike realizohet ashtu siç është parashikuar, jo gjithmonë të ardhurat nga taksat do të mblidhen ashtu siç janë parashikuar. Rritja në ekstreme e taksave mund të ketë edhe efektin e kundërt të rritjes së informalitetit dhe qeveria nuk do të mblidhte të ardhurat ashtu si i kishte parashikuar.

Pandi Gjata: Përmendet rrugët dhe cituat edhe ministrin Haxhinasto. Pjesa më e madhe e punimeve në akset rrugore ka nisur në kohën e Partisë Demokratike, kur ju ishit në pushtet, por ende nuk janë shlyer shumica e kompanive. Cili është propozimi juaj?

Jorida Tabaku: Eksperienca e kësaj qeverie ka treguar se nuk di të bëjë asnjë projekt, në këtë 1 vit e dy muaj.

Pandi Gjata: Por po shlyen borxhet që ju keni lënë…

Jorida Tabaku: Jo, nuk është e vërtetë, pasi kjo qeveri mori borxh nga Banka Botërore dhe FMN-ja për t’i shlyer këto detyrime, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. Është e vërtetë që kishin nisur shumë punime dhe kishte një skemë për mënyrën sesi ato mund të shlyheshin. Në fillim, qeveria deklaroi se borxhi është 150 milionë dollarë, pastaj shkoi në 724 milionë dollarë. Në buxhetin e këtij viti vendosi për të shlyer 350 milionë dollarë, por janë shlyer vetëm 200 milionë dollarë. Kur flasim për shifra duhet të jemi të kujdesshëm. Është e vërtetë që qeveria do të bëjë propagandë të madhe me shifra të mëdha, por unë besoj që njerëzit kanë nevojë për realizëm. Në këtë një vit e dy muaj ne kemi me çfarë ta krahasojmë qeverinë.  

Pandi Gjata: Keni se me çfarë ta krahasoni qeverinë, por jeni jashtë Parlamentit. Kam përshtypjen që do të ishte më mirë sesa në komisionet e Partisë Demokratike apo në studiot e televizioneve që të ishit përballë mazhorancës në Parlament, ku mund të prezantonit edhe amendamente…

Jorida Tabaku:
E kam thënë në disa raste dhe nuk nguroj ta them se do të kishim qenë më komod në Parlament që të përballeshim dhe të diskutonim. Por edhe tani ne e kemi denoncuar paketën fiskale, kemi denoncuar klientelizmin, kemi marrë mendime edhe nga biznesi, të cilat jemi duke i menduar sesi mund t’i bëjmë në një formë propozimi, pakete, të njëjtë si ajo e një viti më parë. Fatkeqësisht vitin e kaluar bëmë 22 amendamente dhe asnjë prej tyre nuk u mor parasysh. Sot, në të njëjtin sinkron me ne është edhe biznesi.

Pandi Gjata: A do të ishte më mirë që të bënit avokatin e biznesit në Parlament?

Jorida Tabaku: Sigurisht që do të ishte më mirë, por ne jemi duke bërë maksimumin e mundshëm me hapësirat që kemi për t’i bërë oponencën buxhetit.

Pandi Gjata: Cili do të jetë boshti  dhe kauza e Partisë Demokratike në protestën e 22 nëntorit?

Jorida Tabaku: Shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar. Ne kemi pritur më shumë se 4 muaj për të organizuar një protestë që prej daljes nga Parlamenti, por kanë qenë qytetarët që e kanë kërkuar atë. Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe rritja e buxheteve që do t’i dedikojnë familjet vetëm energjisë elektrike me 70% është një faktor i mjaftueshëm. Gjithashtu, ngrirja e pagave, që prej dhjetorit të vitit 2013, qeveria nuk ka bërë asnjë rritje pagash, ngrirja e pensioneve. Këto janë arsye që në Romë dhe në Bruksel i kanë çuar njerëzit në protesta masive. Këto të shoqëruara me rritjen e taksave për qytetarët dhe me uljen selektive të taksave për biznese, sigurisht që ka krijuar pakënaqësi.

Pandi Gjata: A do të vazhdojë kjo protestë edhe pas ditës së shtunë?

Jorida Tabaku:
Plani jonë është zhvillimi i një proteste ditën e shtunë me një program të caktuar.

Top Channel