“Terrorizmi po rritet me ritme të larta”

18/11/2014 00:00

Të dhënat e një studimi në lidhje me terrorizmin ndërkombëtar tregojnë për një rritje të ndjeshme të sulmeve. Numri i vdekjeve nga terrorizmi është rritur me 61 përqind ndërmjet viteve 2012 dhe 2013.

Më shumë së 10 mijë sulme terroriste kanë ndodhur vetëm gjatë vitit 2013, një rritje prej 44 përqind e krahasuar me një vit më parë, shtoi raporti i Indeksit Global të Terrorizmit të vitin 2014.

Sipas raportit, sulmet më të shumta janë kryer nga militantët e Shtetit Islamik, Al-Kaeda, Boko Haram dhe talebanët. Ndërkohë që vendi më i prekur nga sulmet ka qenë Iraku.

Në raportin e hartuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen thuhet se më shumë se 18 mijë persona kanë vdekur nga sulmet terroriste gjatë vitit 2013.

“Jo vetëm intensiteti i terrorizmit është në rritje, por gjithashtu edhe përmasat e tij gjeografike janë gjithmonë në zgjerim. Lufta civile në Siri dhe Irak është një ndër arsyet kryesore të këtyre shifrave të larta. Gjiathshtu këto janë edhe dy vendet ku sulmet kanë qenë më të shpeshta ”, ka thënë për BBC kryetari i IEP, Steve Killelea.

Top Channel