Mustafa: Momentet e reja imponojnë ndryshime në paktin e opozitës

18/11/2014 00:00

Koalicioni opozitar i dalë pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë,
përveç Vetëvendosjes do të votojë kandidatin e propozuar nga Partia
Demokratik e Hashim Thaçit, e cila mori të drejtën për të propozuar
emrin për këtë pozicion pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Koalicioni është zotuar se do ta votojë kandidatin që do të propozojë PDK-ja për kryetar të Kuvendit, përveç Vetëvendosjes, për të hapë mundësi për konstituimin e Kuvendit. Edhe çështjet e tjera jemi të interesuar t’i realizojmë në harmoni me politikat e vendit, brenda sallës së Kuvendit dhe me votën e shumicës”, shkruan Mustafa.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nëpërmjet rrjeteve sociale thotë se LDK mbetet konsekuente ndaj partnerëve të saj, por shton se situata e re e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që i dha të drejtë PDK-së së Hashim Thaçit për të zgjedhur kreun e Kuvendit dhe rrethanat e reja të rrjedhura nga ky vendim, imponojnë nevojën e një sjelljeje të re.

Dy ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për fatin e koalicionit paszgjedhor mes LDK-së, AAK-së, Nismës plus Vetëvendosjen dhe vetë qeverisjen e ardhshme të vendit.

“LDK mbetet konsekuente ndaj partnerëve, por po ashtu momentet e reja imponojnë nevojën për sjellje të re, në mënyrë që Kosova të ketë Kuvendin dhe Qeverinë në ditët e ardhshme. Këto dy ditë LDK do të mbaj takimet e nivelit më të lartë partiak dhe do të vendosë të ndihmojë që vendi ynë sa më shpejt të ketë institucionet e saja demokratike në harmoni të interesave të qytetarëve”, shton Mustafa.

Top Channel