Burg pa afat për trafikantët e armëve

18/11/2014 00:00

“Ju më akuzoni për trafik armësh, por siç e shihni unë jam një invalid që mezi më dalin lekët që të mbaj familjen gjallë”.

Kjo është deklarata e Sami Memës nga Shijaku, një 44-vjecar i cili ra në prangat e policisë bashkë me 7 persona të tjerë, ndërsa në shtëpinë e tij gjatë një aksioni që u zhvillua me metodat speciale u sekuestrua një arsenal armësh e municionesh.

Përveçse për të, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli arrest me burg edhe për Alban Mançen, Hergi Bulin dhe Shkëlqim Varaku. Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi i tha gjykatës se hetimi nisi pas një materiali paraprak të përcjellë nga Policia e Shtetit e cila dispononte të dhëna se disa persona merreshin me trafik armësh dhe muncionesh luftarake nga Kosova-Shqipëria me destinacion Greqinë.

Sipas të dhënave, armët e sjella apo të nxjerra nga Shqipëria shiteshin me çmime nga 80 mijë lekë për pistoletë TT, 40 deri në 50 mijë lekë për automatik kallashnikov, 2500 euro për pistoletë Glok, 1500 euro deri në 2 mijë euro për pistoletë Berreta të kalibirit 9 mm.

Ndërkohë që, thuhej në informacionin e policisë përcjellë prokurorisë, armët “mini bloë” sillen nga Serbia dhe shiten me vlerën 100 deri në 150 euro, pistoletat me silenciator shiteshin nga grupi me vlerë 1 mijë euro deri në 2 mijë euro.

Armët kryesisht pistoleta të kalibrave të ndryshëm fshiheshin në automjete të paidentifikuara ende. Në bazë të këtij informacioni Krimet e Rënda kanë autorizuar blerjen e stimuluar të 6 armëve, ku në episodin e parë ishin të pranishëm personat nën hetim Sami Mema, Shkëlqim Varaku, Alban Mançe dhe Hergi Buli.

Më pas shtetasit Sami Mema, Shkëlqim Varaku, Çlirim Xhaja, Alban Mançe dhe Hergi Buli kanë mbajtur komunikime të vazhdueshme telefonike me qëllim shitjen e një sasie tjetër armësh shitje që janë kryer në banesën e Memës. 

Top Channel