Itali, aksion madhor kundër mafias, 40 të arrestuar

18/11/2014 00:00

40 persona përfunduan në pranga në një operacion madhor të anti-mafias italiane i përqendruar në veri të vendet kundër grupeve të lidhura me “Ndrangheta”.

Tre grupe mafioze me bazë në Lecco dhe Como në veri të Milanos në provincën e Lombardisë u shkatërruan. Numri më i madh i të arrestuarve ka ndodhur pikërisht në këto dy qyteza, por disa të tjerë janë prangosur edhe në Siçili.

“Ndrangheta” është një organizatë mafioze me bazë ne Kalabri, në jug të Italisë. Ndryshe nga “Camorra”, mafia puljeze apo ajo siçiliane, kjo organizatë ka një hierarki më të organizuar dhe besohet se drejtohet nga një grup personash të pasur që njihen si “Të shenjtët”.

Grupi shquhet edhe për ritet e tyre të veçanta gjatë mbledhjeve dhe për herë të parë në këtë operacion është kryer filmimi i plotë i një mbledhjeje të tillë, ku në bazë të hierarkisë shpërndahen detyrat.

Operacioni u drejtua nga prokurorja e antimafias italiane, Ilda Boccassini pas muajsh të tërë hetimesh intensive. Të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizata mafioze, zhvatje dhe armëmbajtje pa leje.

Top Channel