Gërveni, në gjyq për uniformën

18/11/2014 00:00

Dyshimet se mund të ketë pranuar favore, atëherë kur veshi një uniformë përtej gradës, e kanë ulur në bankën e të akuzuarve edhe kundëradmiral Kristaq Gërvenin, të cilit do t’i duhet të përballet me drejtësinë, ndryshe nga mjaft ushtarakë të tjerë që vitet e fundit janë gjykuar për shpërdorim detyre.

Për Prokurorinë, ish-atasheu ushtarak i Shqipërisë në NATO përgjatë viteve 2011-2014, kundëradmiral Kristaq Gërveni, në tre takime të rëndësishme ka mbajtur pa të drejtë, uniformën me grada më të larta se ato të dekretuara nga Presidenti.

Prokuroria thotë se gjatë kohës që shërbente në NATO, Gërveni shfaqet në datat 22 janar dhe 23 janar 2014, me uniformë që ka gradat e Admiralit. Por, avokati mbrojtës Vladimir Meçi deklaron se Prokuroria është në kapërcim të kompetencave, pasi kjo është një çështje administrative.

“Eshtë një procedim penal i nisur padrejtësisht, për një çështje që i përket, mendoj, rregullores së disiplinës”, tha Meçi.

“Une do t’i bindem gjykimit dhe më pas do të flas”, thote Gërveni.

Avokati i Gërvenit pretendon se do të thërrase në gjykatë si dëshmitare edhe ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, si dhe ushtarakë të tjerë shqiptarë, që sipas tij kanë qenë në këtë takim dhe nuk e kanë ngritur në kohë shqetësimin e mbajtjes së uniformës me gradën e Admiralit.

Top Channel