Ministri i Jashtëm rumun, Teodor Melescanu ka dhënë dorëheqjen vetëm një javë pas të njëjtit veprim të parardhësit të tij, për shkak të problemeve të krijuara me emigrantët në votimin e presidentit.

Mijëra emigrantë rumunë e patën të pamundur të votonin në balotazhin e ditës së diel edhe pse të njëjtat probleme me të cilat u përballën ata ishin verifikuar në raundin e parë të votimit.

Një numër i madh mërgimtarësh mbështetën Klaus Iohannis, që u shpall dhe fitues, dhe fushatën e tij kundër korrupsionit. Kandidati me prejardhje gjermane arriti të mposhtte kryeministrin Victor Ponta.

Edhe pse numri i votuesve në mërgim u dyfishua krahasuar me votuesit e raundit të parë në rreth 380 mijë, menaxhimi i situatës nga qeveria e zotit Ponta u pa në masë të gjerë si një kontribut për fitoren e kundërshtarit të tij.

Disa ditë pas dështimit të votimit në raundin e parë, mijëra rumunë mbushën rrugët e qyteteve perëndimore për të protestuar.

Parardhësi i zotit Melescanu, Titus Colatean kishte insistuar se nuk kishte bazë ligjore për të rritur numrin e qendrave të votimit, por më vonë u detyrua të jepte dorëheqjen.

Pas kësaj, më shumë kabina votimi u ngritën në qytetet e BE-së dhe më shumë staf u angazhua, por sërish mijëra rumunë mbetën pa votuar pavarësisht qëndrimit për orë të tëra në radhë.

Duke njoftuar dorëheqjen këtë të martë, zoti Melescanu tha se, i duhej të merrte përgjegjësinë për faktin se jo të gjithë emigrantët që donin të votonin arritën të hidhnin votën në kuti.

Top Channel